SPAK merr të pandehur Bardh Spahinë, ish-kryebashkiaku i Shkodrës akuzohet për shpërdorim detyre

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Ish-kryetari i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Spahia u paraqit sot në SPAK dhe sipas medieve i është komunikuar akuza për shpërdorim detyre, gjatë kohës kur ka ushtruar detyrën e kryebashkiakut.
Spahia u kallëzua në SPAK në vitin 2022 nga Mark Molla, ish-drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër, për shkarkim nga detyra në shkelje të ligjit dhe emërimin në vend të tij të një anëtari të FRPD-së.
Bardh Spahia mori detyrën e kreut të Bashkisë Shkodrës pas fitores në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 me Partinë Demokratike. Mandati i tij përfundoi në vitin 2023, ku u zhvilluan zgjedhjet e radhës për kryetar bashkie. /j.p/