E Hënë, 2 Nëntor 2026

“SPAK nuk ka prova ndaj meje”, Veliaj: Ku janë rreth 1 milionë euro mall? Shkulën edhe lavamanët, por nuk gjetën gjë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagoi sërish nga qelia e paraburgimit për akuzat dhe hetimin pasuror ndaj tij dhe bashkëshortes Ajola Xoxa. Ai sulmoi ashpër prokurorin Old Dado dhe gjyqtarin që e la në burg, Erjon Bani.

Veliaj hedh poshtë pretendimet për jetesë në luks të tij dhe bashkëshortes.

Veliaj: Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që neveriten kur shikojnë se si dalin nga gjirizet mediatike fustanët e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion Euro mall? Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në gjithë ambientet në Tiranë e në Golem, për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, në mure e dysheme, ku dihet botërisht se jetojmë në pallat të ndërtuar në vitin 2012, atëherë duhet t’i kishin provat materiale besoj, apo jo? Kanë blerjet online do thoni ju. Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”.

Kryebashkiaku vë në dukej faktin se ai në dosje nuk gjeti asnjë provë që e implikon në marrje rryshfeti.

Veliaj: Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion.

Veliaj vijon duke thënë se ka kërkuar që prokurori Ols Dado të heqë dorë nga dosja e tij.

Veliaj: Në thertoren e Erjon Banit – se vetëm sallë gjyqi nuk qe – kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq.

Kryebashkiaku paralajmëron se ky nuk do të jetë reagimi i tij i fundit dhe se në vijim ai do të paraqesë të vërtetat dhe provat e tij./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›