E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK refuzon Këshillin Bashkiak: Veliaj nuk do të jetë i pranishëm në mbledhjen për buxhetin 2026

SPAK nuk miraton kërkesën e Këshillit Bashkiak që Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhje.

Prokurori Ols Dado nuk është shprehur për kërkesën tjetër, atë të një komunikimi online për shkak se thotë se nuk e përmend si kompetencë Kodi i Procedurës Penale.

Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës iu drejtuar Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Burgjeve, me një letër ku iu kërkonte lejimin e përkohshëm për pjesëmarrje fizike apo nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar) të Erion Veliajt në mbledhjen e së premtes (21 nëntor) të këshillit.

Në kërkesën e firmosur nga 22 anëtarë socialistë thuhej se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të këtij viti dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej mbledhjeve të këshillit bashkiak, qoftë edhe online. Ai ka dalë nga qelia vetëm në seancën publike që u mbajt në Kushtetuese ku kjo e fundit vendosi për lëninen e tij në detyrën e Kryebashkiakut të Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›