Nora Malaj në “Çasti i Duhur”: Duhet të promovojmë vlerat, jo antivlerat

Pedagogia dhe juristja e njohur Nora Malaj ishte e ftuar në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH1, ku ndau momente personale dhe profesionale nga rruga e saj shumëvjeçare.
Ajo tregoi se arsyeja pse hoqi dorë nga piano ka qenë tepër personale, por njëkohësisht motiv jetësor që e ka ndihmuar të kuptojë se “nuk është suksesi që të forcon, por dështimi”.
Malaj theksoi rolin e rëndësishëm që ka Radio Televizioni Publik Shqiptar në promovimin e vlerave të vërteta, duke shtuar se shpesh shoqëria mbetet tek antivlerat. Ajo u ndal edhe tek rrugëtimi i saj politik, duke theksuar se cikli i politikës aktive për të është mbyllur pas 28 vitesh kontribut.
“Arsyeja pse hoqa dorë nga piano është një arsye shumë personale edhe pse nuk dua ta ndaj por ka qenë dhe motivi i jetës time. Unë kuptova që nuk është suksesi që të forcon por dështimi. Radio Televizioni Publik Shqiptar që është institucioni më i rëndësishëm të japi disa të vërteta të bukura edhe në çastet dhimbje apo trishtimi apo çaste suksesi sepse duhet të promovojë dhe vlerën. Shpesh herë nuk promovojmë vlerën dhe mbetemi tek antivlera. Në jetën e secilit prej nesh ka cikle të caktuara dhe unë mendoj që njeriu duhet të bëj mirë gjërat që di ti bëj mirë në ciklet e caktuara. Mendoj që cikli i politikës aktive u mbyll në 28 vitet e kontributit tim sepse mendoj se duhet ti lë vendin të tjerëve. Unë kam përzgjedhur që në këtë moshë të jem më e maturuar, që të menaxhoj emocionin. Kam vendosur që të bëj në ciklin e tretë atë që di të bëj më mirë”, u shpreh Malaj.
Duke folur për rolin e pedagogut, Malaj e cilësoi atë si një mision dhe jo thjesht profesion, duke nënvizuar se mësimdhënia kërkon empati dhe përkushtim të veçantë.
“Mendoj që roli i pedagogut apo i profesorit është misionar nuk është profesion dhe mendoj se nuk mund ta bëj dot kushdo. Njeriu që zgjedh në fushën e mësuesisë apo pedagogjisë duhet të jetë njëri empatik dhe ajo është pjesa më e rëndësishme e qenies njerëzore. Dhe kur kam qenë në politikë, dhe kur kam drejtuar në të gjitha nivelet dhe kur kam jetuar në familjen e madhe kam kuptuar që unë jam një njeri që i kam të drejtat e mia të kufizuara. Në psikologji po ta shohësh qenia njerëzore nuk e sheh dot veten por unë kam fat që e shoh veten në ekran dhe shoh ndonjëherë Norën. Ky është sekreti i atij njeriut që ka 33 vite në media në këtë TVSh e dashur, që në 1992 e kam filluar që kur isha një vajzë e re”, tha ajo.
/rtsh.al/