SPAK sekuestron pasuri me vlerë 77 milionë lekë

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal të vitit 2023 ka zhvilluar paralelisht edhe hetimin pasuror.
Sipas SPAK, ky hetim ka identifikuar pasuri që përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale në emër të subjekteve në hetim dhe familjarëve të tyre.
Me vendimin e datës 14 tetor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77.000.000 lekë.
Në emër të shtetasit A.Ç: Pasuria nr. 349/47, zona kadastrale 3321, vol. 12, faqja 5, “Tokë Arë”, me sipërfaqe 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi edhe të shtetases A.Ç.
Në emër të shtetasit F.C: Kuota 100% të shoqërisë tregtare “Check Company” Sh.p.k, në Rrugën e Dibrës, Tiranë.
Gjithsej janë 24 automjete “Volkswagen” (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4 ) dhe 1 “Toyota” (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie.
Procodimi penal përfshin veprat penale; Trafik i lëndëve narkotike; Pastrim i produkteve të veprës penale; Grup i strukturuar kriminal; Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Shtetasit nën hetim janë: E.Ç, A.Ç, A.Ç (alias D.Ç), F.B (alias J.B), D.D, P.L (alias P.S.), F. G (alias F.Ç, alias F.H.Ç, S.P (alias V.P), G.Ç, R.M, M.K, M. M, E. Ç, R.Ç, K.Gj dhe D.P.
Hetimi
SPAK njoftoi se organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet përfshinë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversën etj. Gjithashtu janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave.
/m.q/a.f/r.e/