E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: E shtuna, dita e protestës më të madhe kombëtare në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet jashtë ambienteve të Kuvendit, tha sot se PD-ja jo vetëm që nuk e dëmton protestën, por po e ndihmon atë.

Berisha tha se e shtuna është dita e protestës më të madhe kombëtare e thirrur në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve

“Partia Demokratike po e ndihmon shumë e do ta ndihmojë. E shtuna është dita e protestës më të madhe kombëtare e thirrur në mbështetje të protestës studentore dhe gjimnazistëve”, tha ai.

Ai shtoi se se nuk mund të barazohet pushtetin ekzekutiv me opozitën, duke theksuar se kjo e fundit përfaqëson një pushtet moral përballë qeverisë.

I pyetur nëse anëtarë të Forumit Rinor të PD-së janë përfshirë në protestat e dhunshme dhe nëse ka pasur të arrestuar apo të shoqëruar nga policia, Berisha konfirmoi se mes tyre ka pasur anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike që janë arrestuar apo goditur.

Berisha u pyet gjithashtu nëse e ka menduar mundësinë e dorëheqjes për t’u hapur rrugë të rinjve në politikë, në një kohë kur një pjesë e të rinjve shprehin pakënaqësi ndaj klasës politike.

Kreu i PD-së tha se një vendim i tillë do të favorizonte Edi Ramën.

“Për të lehtësuar Edi Ramën? Jo, kjo është absurde”, u shpreh Berisha.

Berisha deklaroi se gara brenda PD-së është e hapur dhe se kryetari zgjidhet nga anëtarësia çdo katër vjet.

“Kushdo të dalë është e hapur gara. Kjo parti bën zgjedhje me të gjithë anëtarësinë një herë në katër vjet. Ajo partia tjetër nuk bën zgjedhje nga 2009 gjer sot, urdhëro”, tha ai.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›