SPAK zbardh hetimet ndaj organizatës kriminale me bazë në Elbasan

TIRANE, 1 gusht/ATSH/ Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë detaje në lidhje me megaoperacionin e zhvilluar në Elbasan, duke zbardhur kështu vrasjet e porositura nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
Hetimet e SPAK kanë provuar se kjo organizatë kriminale që drejtohej nga vëllezëri Çopja dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare.
“Dyshohet se veprimtaria kriminale e dy vëllezërve, daton rreth viteve 2006 – 2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë/zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas SPAK me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve.
Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.
Vrasja e trefishtë, ku u vra shtetasi Endrit Alibej, më 29.12.2018, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga kjo organizatë kriminale dhe se qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurencën për zotërimin e tregut të kokainës. Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të shtetasit Endrit Alibej”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Prokuroria e Posaçme bën gjithashtu me dije se “në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.
Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal”.
Gjithashtu SPAK ka evidentuar se Franc Çapja në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.