SPANJË – Arrin në 64 numri i të vdekurve pas stuhive

MADRID, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Të paktën 64 persona kanë vdekur deri tani, pasi stuhitë e forta goditën pjesë të mëdha të Spanjës, njoftoi transmetuesi shtetëror spanjoll RTVE duke cituar autoritetet.
Media raportoi gjithashtu vdekjen e një gruaje 88-vjeçare në qytetin Cuenca në rajonin qendror Castilla-La-Mancha.
Dhjetëra persona raportohen gjithashtu të zhdukur.
Punonjësit e shpëtimit luftuan për të arritur në zonat e goditura nga fatkeqësia për shkak të rrugëve të përmbytura ose të bllokuara.
Në rajonin veçanërisht të goditur të Valencias, pjesa më e madhe e punës së ndihmës po kryhet me helikopter, tha për agjencinë e lajmeve Europa Press, José Miguel Basset nga brigada e zjarrit e Valencias.
Fronti i shiut pritet të lëvizë sot në verilindje. Megjithatë, një paralajmërim për mot të ashpër mbetet në fuqi për pjesë të mëdha të vendit.
Sipas shërbimit meteorologjik AEMET, situata në Spanjë nuk do të zbutet plotësisht deri të enjten./ /os/