SPANJË – Të paktën 158 të vdekur pas përmbytjeve të mëdha

MADRID, 31 tetor /ATSH-DPA/- Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese në rajonin spanjoll të Valencias është rritur në të paktën 155, tha sot qeveria rajonale.
Janë raportuar tre viktima të tjera në rajonet e Andaluzisë dhe Castile-La Mancha, duke e çuar numri total te vdekjeve në Spanjë në 158. Dhjetëra persona të tjerë jane shpallur të zhdukur.
Në jug dhe lindje të Spanjës, autostradat dhe rrugët rurale duhej të mbylleshin në shumë vende. Transporti ajror dhe hekurudhor u prek gjithashtu, ndërsa mësimi në shumë shkolla dhe universitete u anulua.
Për shkak të rrëshqitjes së dheut, një tren me shpejtësi të madhe – që udhëtonte nga Malaga në Madrid – doli nga shinat menjëherë pas nisjes me 291 pasagjerë në bord.
Megjithatë, hekurudha shtetërore e Spanjës “Renfe” nuk ka raportuar të plagosur.
Fatkeqësia u shkaktua nga “gota fría” – një term i përdorur në Spanjë -një fenomen i motit i zakonshëm në rajonin e Mesdheut spanjoll gjatë shtatorit dhe tetorit.
Ai ndodh kur rrymat e para me presion të ulët të Atlantikut, që mbartin ajër të ftohtë dhe të lagësht, përplasen me Mesdheun e ngrohtë, duke çuar në stuhi të forta.
Shërbimi meteorologjik e ka përshkruar ngjarjen si një “stuhi historike”, duke raportuar deri në 490 milimetra reshje në disa zona brenda një dite të vetme – një sasi që shihet zakonisht gjatë një viti të tërë.
Sipas zyrtarëve, kjo është stuhia më e rëndë e përjetuar në Valencia këtë shekull.
Fronti i shiut pritet të lëvizë sot në verilindje. Megjithatë, një paralajmërim për mot të keq ka mbetur në fuqi në pjesë të mëdha të vendit. //a.i/