E Diel, 1 Nëntor 2026

SRI LANKA – E mërkura ditë pushimi për të kursyer karburant

KOLOMBO, 17 mars /ATSH/ – Sri Lanka ka vendosur që çdo e mërkurë të jetë ditë pushimi për institucionet publike, në përpjekje për të kursyer karburantin, ndërsa vendi përballet me rrezikun e mungesave si pasojë e luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, sipas BBC.

”Duhet të përgatitemi për më të keqen, por të shpresojmë për më të mirën”, deklaroi presidenti Anura Kumara Dissanayake gjatë një mbledhjeje emergjente me zyrtarë të lartë.

Kjo është një nga masat e fundit shtrënguese që po ndërmarrin vendet aziatike, pasi konflikti ka ndikuar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës.

Vitin e kaluar, rreth 90% e naftës dhe gazit që kalonin nëpër këtë ngushticë kishin si destinacion Azinë, rajoni më i madh importues i energjisë në botë.

Masat në vendet e tjera aziatike

Edhe vende të tjera në Azi kanë ndërmarrë masa për të përballuar krizën energjetike.

Në Tajlandë, qeveria po u kërkon qytetarëve të veshin rroba më të lehta për të ulur përdorimin e kondicionerëve, ndërsa në Mjanmar automjetet private lejohen të qarkullojnë vetëm në ditë të caktuara sipas targave.

Bangladeshi ka avancuar pushimet e Ramazanit në universitete dhe ka vendosur ndërprerje të planifikuara të energjisë.

Në Filipine, disa institucione shtetërore kanë urdhëruar punë nga shtëpia të paktën një ditë në javë, ndërsa presidenti Ferdinand Marcos Jr ka ndaluar udhëtimet jothelbësore në sektorin publik.

Ndërkohë, në Vietnam autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë më shumë në shtëpi, të përdorin biçikleta, transport publik dhe të kufizojnë përdorimin e automjeteve private kur nuk është e nevojshme.

Masa shtesë në Sri Lanka

Java katërditore në Sri Lanka do të zbatohet edhe për shkollat dhe universitetet, por nuk do të ndikojë në shërbimet thelbësore si shëndetësia apo emigracioni. Autoritetet kanë zgjedhur të mërkurën si ditë pushimi për të shmangur mbylljen tre ditë radhazi të institucioneve.

Ndërkohë, drejtuesit e automjeteve duhet të regjistrohen për një “Leje Kombëtare Karburanti”, e cila kufizon sasinë e karburantit që mund të blejnë. Kjo masë ka shkaktuar pakënaqësi, pasi kuotat, 15 litra për makinat private dhe 5 litra për motorët , konsiderohen të ulëta nga qytetarët.

Ky sistem ishte përdorur edhe në vitin 2022, gjatë krizës më të rëndë ekonomike të vendit, kur Sri Lanka mbeti pa rezerva valutore dhe nuk mund të importonte mallra thelbësore.

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që nga nisja e bombardimeve ndaj Iranit muajin e kaluar dhe aktualisht janë rreth 100 dollarë për fuçi./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›