STRASBURG – BE synon ndalimin e të gjitha importeve ruse të gazit

STRASBURG, 6 maj /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian zbuloi sot planet për të ndaluar të gjitha importet e gazit rus në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027, në një përpjekje për t’i dhënë fund varësisë energjetike të bllokut nga Moska.
Një ndalim për kontratat e reja dhe dërgesat afatshkurtra, të ashtuquajturat kontrata spot, do të hyjë në fuqi deri në fund të vitit 2025.
Kontratat ekzistuese afatgjata do të hiqen gradualisht deri në fund të vitit 2027.
Dy të tretat e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe gazit të tubacioneve ruse bazohen në kontrata afatgjata, duke e shtyrë komisionin të propozojë një ndalim me dy hapa.
“Një qasje me faza për eliminimin e importeve të gazit rus do t’u lejonte tregjeve të përshtateshin më mirë dhe të minimizonin ndikimin në treg dhe implikimet e mundshme për sigurinë e furnizimit”, thuhej në një dokument të komisionit.
“Komisioni do të sigurojë që masat për eliminimin e importeve të gazit rus do të hartohen në një mënyrë që minimizon ndikimin ekonomik mbi aktorët e tregut”, shtoi ai.
Dega ekzekutive e BE-së tha se do të vazhdojë me një propozim ligjor mbi ndalimin e importit të gazit në qershor./ /os/