E Diel, 1 Nëntor 2026

STRASBURG – Von der Leyen kërkon krijimin e një këshilli evropian sigurie

STRASBURG, 16 shtator /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për krijimin e një mekanizmi evropian reagimi dhe sigurie, të pavarur nga NATO-ja,  për të reaguar bashkërisht ndaj kërcënimeve të sigurisë që nuk arrijnë nivelin e një agresioni të armatosur.

“Sulmet kibernetike dhe sabotimet, zjarrvëniet, inkursionet me dronë: ato po shtohen çdo ditë”, tha sot Von der Leyen, në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg.

Sipas planeve, të 27 vendet e BE-së do të mblidheshin nëse njëri prej tyre do të aktivizonte mekanizmin e planifikuar të alarmit.

Qëllimi do të ishte parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm dhe zbutja e ndikimit të kërcënimit.

“Evropa ka nevojë për strategjinë e saj të kundërpërgjigjes ndaj kërcënimeve hibride. Na duhet urgjentisht një konsensus se si të reagojmë ndaj incidenteve të caktuara”, tha ajo.

“Me fjalë të tjera, një mekanizëm që plotëson Nenin 4 të NATO-s”, tha Von der Leyen.

Sipas Nenit 4 të dokumentit themelues të aleancës së mbrojtjes, aleatët mund të kërkojnë një mbledhje urgjente për incidente sigurie që nuk përbëjnë konflikt të armatosur, por që kërcënojnë sigurinë, territorin ose lirinë e tyre politike.

“Sistemet tona janë krijuar për një botë tjetër”, u tha Von der Leyen ligjvënësve të BE-së.

“Ato udhëhiqen nga përpjekje të mirësynuara për konsensus dhe kompromis. Por duhet të shqyrtojmë nëse ato janë ende të përshtatshme për qëllimin e tyre”, tha ajo.

Kreu i Komisionit njoftoi gjithashtu planet për një Këshill Evropian të Sigurisë, ku liderët e BE-së do të takoheshin me liderë nga vende partnere si Kanadaja, Norvegjia, Ukraina dhe Britania e Madhe./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›