SUEDI – Merz kritikon udhëtimin e Ficos në Moskë për Ditën e Fitores

STOKHOLM, 9 maj /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz kritikoi sot praninë e kryeministrit sllovak, Robert Fico në Moskë gjatë ceremonive të Ditës së Fitores, që shënojnë triumfin e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945.
“Robert Fico e di se ne kemi mosmarrëveshje. Më vjen shumë keq për këtë dhe do të bisedojmë me të lidhur me këtë ditë në Moskë”, deklaroi Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson në Stokholm.
Fico ishte i vetmi përfaqësues nga Bashkimi Evropian që udhëtoi në Moskë, ku çdo 9 maj zhvillohet tradicionalisht parada ushtarake në Sheshin e Kuq.
Edhe pse nuk mori pjesë drejtpërdrejt në paradë, Fico vendosi dje një kurorë me lule pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur në Muret e Kremlinit.
Vizita e tij ka shkaktuar reagime kundërshtuese si në Sllovaki, ashtu edhe në BE.
Merz ndodhej në Stokholm për të marrë pjesë në kongresin e Partisë Moderatore të Kristerssonit, një forcë konservatore dhe pjesë e Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, ku bën pjesë edhe partia e tij, Unioni Kristian Demokrat.
“Ne po shënojmë sot Ditën e Evropës në Stokholm, dhe kjo është diçka krejt tjetër”, tha kancelari gjerman.
Mediet suedeze e cilësuan praninë e Merz si nisjen e fushatës së Kristerssonit për zgjedhjet parlamentare suedeze, të planifikuara më 13 shtator./ /Ad.Ab./ a.jor.