E Diel, 1 Nëntor 2026

SUEDI – Parlamenti rrëzon kandidaturën e Magdalena Andersson për kryeministre, vijon ngërçi politik

STOKHOLM, 15 tetor /ATSH-DPA/– Parlamenti i Suedisë rrëzoi të enjten me shumicë dërrmuese kandidaturën e lideres së socialdemokratëve, Magdalena Andersson, për postin e kryeministres, duke zgjatur ngërçin politik një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme në vend.

Humbja e votimit ishte e pritshme, edhe për vetë Andersson, partia e së cilës doli forca më e madhe politike në zgjedhjet e 13 shtatorit.

“Kjo ishte plotësisht e pritshme”, deklaroi Andersson, sipas agjencisë suedeze të lajmeve TT.

Ajo vuri në dukje ndarjet e thella mes partive politike, duke parashikuar se do të nevojiten disa votime parlamentare përpara se të formohet një qeveri e re.

Pas këtij rezultati, kryetari i parlamentit, Andreas Norlén, duhet të propozojë një tjetër kandidat për formimin e qeverisë. Kjo mund t’i japë kryeministrit në detyrë, Ulf Kristersson, mundësinë për të qëndruar në post.

Katër partitë që përbënin opozitën e mëparshme – Socialdemokratët, Partia e Majtë, të Gjelbrit dhe Partia e Qendrës – fituan së bashku një shumicë të ngushtë prej 176 mandatesh në parlamentin me 349 vende, në zgjedhjet e shtatorit.

Ndërkohë, blloku konservator i Kristerssonit, ku përfshihen edhe populistët e krahut të djathtë, siguroi 173 mandate, rezultat që e shtyu atë të jepte dorëheqjen.

Megjithatë, përçarjet e thella mes partive të opozitës kanë penguar formimin e një qeverie të re. Partia e Majtë këmbëngul se duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, ndërsa Partia e Qendrës refuzon të mbështesë një kabinet ku përfshihet kjo forcë politike.

Të dyja partitë votuan kundër kandidaturës së Anderssonit të enjten.

Pavarësisht ngërçit politik, zgjedhjet e parakohshme nuk janë aktualisht në diskutim. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›