Sa e pabarabartë qenka Shqipëria!
Nga Ilir Beqja
Shqipëria është një vend i vogël, që përpiqet me mund në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit. Edhe shqiptarët janë një popull i vogël, madje aktualisht në Shqipëri jetojnë më pak se 2/3 e shtetasve shqiptarë.
Por edhe brenda këtij vendi të vogël, për fat të keq, ende konstatohet se zhvillimi është i pabarabartë, madje kjo pabarazi vijon të thellohet. Ka zona të vendit të pasuri me burime natyrore ku për fat të keq popullsitë që jetojnë aty janë pjesa më e varfër e Shqipërisë.
Llogaritë rajonale janë të disponueshme publikisht në nivelin e qarqeve dhe janë të vlerësuara për vitet 2009 dhe 2010.
Ekziston edhe një grupim më i vogël sesa ai në nivel kombëtar që përpiqet të krijojë rajone të vendit bazuar edhe në kërkesat dhe standartet e Europës së Bashkuar.
Sipas këtij grupimi Shqipëria ka tri rajone:
VERI
Dibër
Durrës
Kukës
Lezhë
Shkodër
QENDËR
Elbasan
Tiranë
JUG
Berat
Fier
Gjirokastër
Korcë
Vlorë
Kjo ndarje si më lart na tregon se rajoni Qendër kontribon me gati gjysmën e GDP-së, ndërsa dy të tjerët kontribojnë pak a shumë me një të katërtën.
Ilustrimi grafik jepet në grafikun 1.
Por, a ka sens që në veriun e Shqipërisë të jetë edhe Qarku i Durrësit. Për kë shqiptar është e kuptueshme, e pranueshme, apo qoftë e besueshme se Veriu të fillojë në plazhin e Durrësit e të mbarojë në Kelmend, Valbonë, apo Thesh.
Përtej arsyeve administrative që e kanë futur qarkun e Durrësit në rajonin e Veriut, në mënyrë intuitive për këdo, qarku i Durrësit e ka vendin e vet në rajonin Qendër. E kjo rindarje e re që po propozoj do të sillte një situatë ku rajoni i Veriut do të kontribonte me vetëm 15,5 % në atë cfarë prodhohet në Shqipëri (bazuar në të dhënat e disponueshme që i përkasin të dhënave të vitit 2010). Grafikisht kjo situatë e re e kontributit të çdo rajoni ilustrohet në grafikun 2.

Por përtej rajoneve, të cilat mund të fshehin shpërpjestimet që ekzistojnë në zhvillimin ekonomik të zonave të ndryshme të vendit, e që reflektohet në nivelin e varfërisë në pjesë të ndryshme të vendit.
Në se analizohen të ardhurat për banor të çdo qarku të Shqipërisë konstatohet një polarizim i thellë midis banorëve në zona të ndryshme të vendit.
Rendtitja e të ardhurave për banorë sipas qarqeve ilustrohet në grafikun 3.
Kuptueshëm, të ardhurat më të larta për banor i kanë ata që jetojnë në Tiranë, por siç duket edhe nga grafiku, nëse banorët e Durrësit kanë të ardhura po aq sa mesatarja e vendit, banorët e të gjithë qarqeve të tjera kanë të ardhura nën mesataren e vendit. Ekstremi arrin në qarkun e Dibrës ku të ardhurat e banorëve janë 2,4 herë më të ulëta se ata të Tiranës. Banorët me të ardhura më të pakta janë në qarqet e veriut, por të ardhura mesatare të ulëta rezulton të kenë edhe banorët e qarkut të Korçës, e dhënë kjo që nuk përputhet me perceptimin publik për qarkun e Korçës.

