Sa sinqerisht flasin Rama e Berisha?
Redaksia e “Shekullit”
Kryeministri i vendit Sali Berisha e hapi procesin e zgjedhjes së presidentit duke i kërkuar të gjitha për vete. Ai tha se do të bëhet president një njeri i Partisë së tij dhe shpalli që perceptimi i fitores politike do të jetë në anën e tij.
Në të vërtetë nuk është gjëja më e rëndësishme nga vjen një president. Rëndësi ka çcilësi mbart dhe nga kush kontrollohet ai president. Opozita që ka bërë lëshimin kushtetues në të shkuarën e afërt, është jashtë loje përballë një maxhorance e cila nuk e ka problem ti djegë ato dy-tri raundet e para dhe ta imponojë presidentin me 71 vota.
Tërheqja që bëri maxhoranca nga kandidat i partisë në kandidat të maxhorancës jashtë politikës, nuk do të thotë që presidenti që do të zgjidhet, është apriori i pranueshëm për opozitën. Por kjo tërheqje ka krijuar një hapësirë për negociata e konsensus edhe pse takimi i djeshëm Rama-Berisha nuk na bën optimistë.
Opozita tani bën përpjekje që të faktorizohet dhe të jetë pjesë e procesit për propozimin dhe miratimin e një presidenti konsensual. Berisha, nga ana tjetër, është i prirur të mos lejojë që Rama të arrijë ndonjë sukses i cili do tu ngrinte moralin forcave të opozitës sidomos tani, një vit para zgjedhjeve parlamentare. Këto zgjedhje do të jenë beteja e jetës, të paktën për Ramën.
Veç kësaj, Berisha ndjen presionin e krizës ekonomike dhe të keqqeverisjes. Kjo krizë është çdo ditë e më e fortë dhe mund të sjellë surpriza shumë të këqija në muajt e ardhshëm. Në këto rrethana është e nevojshme që presidenti të jetë një figurë e bashkimit të shqiptarëve dhe zgjedhja e tij ti shërbejë uljes së tensioneve e konflikteve politike në vend.
Edhe pse tavolina e djeshme është refraktare dhe nuk duket një tavolinë shumë e sinqertë, përsëri ajo është një hap përpara në këtë proces për të zgjedhur një president konsensual.
Po të ishte për pragmatizëm politik, opozitës ndofta do ti interesonte një Jozefinë për presidente. Por e ardhmja mund të fshehë të papritura përvëluese si për pushtetin e tanishëm edhe për pushtetin që do të dalë nga zgjedhjet e radhës.
Në rast se tri raundet e para do të digjen, opozita, siç ka lënë të kuptohet Rama, do ta braktiste parlamentin në dy raundet e tjera dhe do ta linte Berishën ta zgjidhte vetë presidentin. Ky do të ishte momenti i një tensionimi të ri të situatës politike nën një president që nuk do ti besojë askush. Është shumë vështirë të themi se çrrugë do të marrin gjërat. E vetmja gjë e sigurt, qesharake, idiote e pa lidhje në këtë histori është vetëofrimi për president i shokut Fatos Nano! Si nuk doli njeri nga të besuarit e tij ti shpjegojë se sa budalla duket! Ndofta ska asnjë të besuar me mend!