E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa të sigurt jemi me transportin publik

Mithat Tola

Aksidenti rrugor i Himarës është më kompleks se një aksident i zakonshëm, përtej përmasave tragjike të tij, jo nga pasojat, por nga mënyra e organizimit të udhëtimit. Duhet theksuar fakti mjaft i rëndësishëm se studentët udhëtues të përfshirë në këtë aksident rrugor nuk janë udhëtarë të zakonshëm rastësorë, dhe, në një farë mënyre, ata kanë një farë përgjegjësie personale për zgjedhjen e mjetit të udhëtimit. Ata përgjegjësinë ia kanë besuar organizatorëve të udhëtimit dhe në një farë mase janë tradhtuar nga këta të fundit; Jo! Ata shkuan të udhëtojnë në një mjet transporti publik të zgjedhur nga drejtues të institucionit ku ata merrnin dije, me proceduara përzgjedhjeje midis shumë shoqërive të transportit. Përgjegjësia është më e madhe e strukturave përgjegjëse përpara familjeve të të aksidentuarve dhe përpara shoqërisë, dhe kjo duhet theksuar për të mos u përsëritur në të ardhmen.

Aksidenti sjell në vëmendjen tonë një fenomen mjaft të rëndësishëm, që pak është trajtuar këto ditë: kontrollet teknike të mjeteve nuk e kanë seriozitetin e duhur dhe nuk janë efikase. Mjeti i përfshirë në këtë aksident rrugor është evidentuar se është një autobus që i përket një prodhimit të vitit 1988. Është me një vjetërsi prej 24 vjetësh dhe nuk ka dalë një e dhënë tjetër në raport me numrin e kilometrave të përshkruar. Unë personalisht nuk kam konstatuar dhe nuk kam dëgjuar që Policia Rrugore në vendin tonë të ketë dërguar (në zbatim të kërkesave të Kodit Rrugor, neni 79) për kontroll jashtë radhe mjete rrugore, sidomos mjete të shërbimit publik, kur i ka konstatuar me të meta në qarkullim. Ka ardhur koha që dalëngadalë, mjete rrugore të amortizuara, që i kanë plotësuar dhe tejkaluar kilometrat, për hir të sigurisë rrugore, duhet të hiqen nga qarkullimi si mjete të shërbimit publik.

Mungesa e profesionalizmit të strukturave policore në administrimin e të dhënave të këtij aksidenti rrugor përpara medies dhe publikut është një dukuri tjetër që duhet nxjerrë në pah. Element mjaft i rëndësishëm që ka ndikuar në këtë aksident është mjedisi rrugor, segmenti rrugor sistemi i sinjalizimit vertikal dhe horizontal, i cili në Shqipëri, besoj dhe mendoj se duhet të ribëhet në themel, pasi është jofunksional dhe jo i përshtatshëm në raport me rrugën dhe me transportuesit qarkullues.

Ka ardhur koha, së fundmi, që transporte të tilla të shërbimit publik me studentë, ekskursionistë, nxënës dhe fëmijë shkollash, duhet ti nënshtrohen një rregullimi ligjor, pasi ka një anarki me drejtues mjetesh pa certifikata të aftësisë profesionale, me mjete të pauniformuara dhe pa organizime të brendshme të institucioneve arsimore private e publike, duke konsideruar se Shqipëria ka mbi 50 universitete, shkolla të mesme, shkolla profesionale, çerdhe e kopshte pa mbarim.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›