E Diel, 1 Nëntor 2026

Sado: Dërgojmë në Kuvend gjatë nëntorit programin e ri të INSTAT

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Statistikave, Lantona Sado prezantoi sot para Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale tre aspekte kryesore të veprimtarisë së institucionit, që lidhen me programin e ri statistikor, Censin e Bujqësisë dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të integrimit evropian.

Sado bëri të ditur se një nga prioritetet është hartimi i Programit të ri Statistikor për periudhën 2027-2031, i cili përcakton veprimtarinë institucionale të INSTAT-it për pesëvjeçarin e ardhshëm.

Sipas saj, programi parashikohet t’i dërgohet Kuvendit në muajin nëntor për miratim.

Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me zbatimin e kuadrit ligjor për Censin e Bujqësisë, i cili është miratuar dhe parashikon hartimin e dy akteve nënligjore.

“Në kuadër të ligjit të miratuar për Censin e Bujqësisë, po punohet për dy akte nënligjore kryesore: Vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e komisioneve në nivel lokal. Si edhe vendimin e Këshillit të Ministrave për sigurimin e pagesave shtesë për personelin që do të marrë pjesë në këtë aktivitet statistikor”, tha Sado.

Sado u ndal edhe te përmbushja e detyrimeve që lidhen me integrimin evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 18, që përfshin statistikat.

Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT theksoi se institucioni ka marrë masat e nevojshme për përmbushjen e piketave përmbyllëse, përfshirë miratimin e rregulloreve përkatëse me vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe të udhëzimeve të drejtorit të përgjithshëm, me synim përafrimin e rregullave dhe standardeve institucionale me ato evropiane.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›