Sadushi: Çështja e pagave në Gjykatën Kushtetuese, dialogu të zhvillohet pas vendimmarrjes

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi bëri të ditur sot se nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur për nesër nga kryeministri Edi Rama me institucionet e Drejtësisë dhe shoqatat e ndryshme të magjistratëve për të diskutuar mbi një skemë të re të pagave të tyre.
Në përgjigjen dërguar kryeministrisë, Sadushi risjell në vëmendje qëndrimin e mbajtur prej tij në mbledhjen e gjyqtarëve pak ditë më parë, se në kushtet kur çështja e pagave të magjistratëve është në duart e Gjykatës Kushtetuese, diskutimi për këtë temë do të ishte i pavend.
“Në vijim të komunikimit tuaj të djeshëm për konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e datës 28 shtator, dëshiroj të rikujtoj qëndrimin e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve. Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij. Megjithatë, pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut”, thekson Sadushi.
Sipas tij, për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese.
“Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur. Në këto kushte, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të shprehur publikisht, nuk do t’i shtonte dialogut një përmbajtje të re. Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta”, nënvizon ai.
Sadushi thekson se vendimi për të mos marrë pjesë në tryezën e 28 shtatorit nuk e mbyll hapësirën për dialog institucional.
“Sikurse kam theksuar, drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë”, tha ai.
Kryetari i Gjykatës së Lartë shton se gatishmëria e tij dhe e institucionit që përfaqëson për një dialog të tillë mbetet e plotë.
“Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar. Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër”, përfundon Sadushi.
Tryeza e thirrur nesër nga kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe shoqatave të magjistratëve për diskutimin e skemës së re të pagave. Ndërkohë, çështja e ndryshimeve në pagat e magjistratëve është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës për kontrollin e ligjit përkatës.
/k.s/a.f/