E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhja e Josipoviçit mirëpritet, përjashtim bën Serbia

Analistët, mediat dhe vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se zgjedhja e socialdemokratit Ivo Josipoviç si President i Kroacisë, do ta ndihmojë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Josipoviç, 52-vjeçar, profesor i së drejtës dhe kompozitor i muzikës klasike, e zhvilloi fushatën presidenciale bazuar në luftën kundër korrupsionit.

Edhe pas fitores, Josipoviçi këmbënguli për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.

“Besoj fuqishëm se të gjithë dëshirojmë të jetojmë në një vend, ku puna paguhet dhe krimi ndëshkohet, në një vend ku ka drejtësi sociale”, - tha Josipoviç.

Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, e cila ka nisur hetime për korrupsion edhe ndaj anëtarëve të partisë së saj, uroi Josipoviçin për fitoren, duke theksuar se Presidenti i ri do ta drejtojë Kroacinë në Bashkimin Evropian.

Dan Everts, shefi i misionit të OSBE-së në Kroaci, tha se mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme do ta ndihmojë shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kroacisë në BE.

Ivo Banac, drejtori i Këshillit për Studime Evropiane në Universitetin Jeil, tha për radion “Evropa e Lirë” se zgjedhja e Josipoviçit përfaqëson “vazhdimin e përpjekjeve proevropiane”.

“Josipoviç gëzon reputacionin e një njeriu të moderuar, çfarë do ta shpëtojë atë nga konfliktet. Kjo është saktësisht ajo, për të cilën ka nevojë Kroacia në këtë moment”, - tha Banac.

Por, Presidenca e Josipoviçit mund të ketë probleme në raportet me Serbinë, të cilat momentalisht janë të trazuara. Josipoviç është një nga autorët kryesorë të hartimit të padisë kroate, që e akuzon Serbinë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Aktpadia i është dërguar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në vitin 1999.

Aktpadia ka zemëruar politikanët në Beograd, çfarë ka bërë që Serbia të ngrejë në tjetër padi për krime lufte ndaj Kroacisë, po në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Josipoviç do të funksionojë mirë me të gjitha vendet, me përjashtim të Serbisë, pasi aktpadia ndaj Beogradit është krijesë e tij”, - tha Zarko Puhovski, analist politik.

Ai shtoi se aktpadia në një pjesë të mirë është shkruar nga vetë Josipoviçi, andaj ai nuk do të heqë dorë prej saj. Kjo u konfirmua edhe nga vetë Presidenti i sapozgjedhur, i cili deklaroi se aktpadia ndaj Serbisë mbetet.

Josipoviç do të marrë detyrën e Presidentit të Kroacisë më 18 shkurt.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›