Saki i del në krah Ançelotit dhe sulmon Perezin dhe Mbapenë

Arrigo Saki ishte personi i fundit që doli në mbrojtje të Karlo Ançelotit. Trajneri i Real Madridit ndoshta po kalon ditët më kritike të periudhës së tij të dytë në klub.
Ish-drejtori sportiv i Real Madridit nga dhjetori 2004 në dhjetorin e 2005 këmbëngul se Real Madridi duhet të mendojë dy herë përpara se të shkarkojë italianin. “Më trishton fakti se e gjithë bota kritikon Karlon për eliminimin nga Liga e Kampioneve, por kjo nuk është e drejtë. A e dinë këta njerëz se kush është Karlo Ançeloti? A e dinë ata se sa shumë ka fituar ai? Unë mendoj se ata duhet që të mendohen tri herë përpara se të marrin vendime rreth Karlos”, tha Saki gjatë një interviste për “la Gazzetta dello Sport”.
Më tej italiani shpjegon përse Ançeloti nuk ka asnjë faj për dështimet e Realit në këtë sezon. “Mendimi im është i qartë. Ata i afruan një sulmues, i cili konsiderohej si një fenomen, por që si i tillë nuk luajti”, tha Saki për Mbape. “Unë e njoh shumë mirë Florentino Perezin dhe e di shumë mirë se si është formuar. Ai tërhiqet pas sulmuesve, ju nuk e keni idenë se sa shumë më është dashur të punoj për të bindur që të blinte Serxho Ramosin”, vazhdoi Saki.