Paga minimale në Shqipëri, eksperti: Ka rritje të shpejtë, por ende të pamjaftueshme

Sipas Eurostat, në vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të pagës minimale, që sipas burimeve vendase llogaritet në rreth 10% mesatarisht në vit.
Por me gjithë rritjen e shpejtë, hendeku me vendet e BE-së mbetet i madh. Për më tepër, një pjesë e madhe e punonjësve në Shqipëri mbeten në sektorë informal, ku zbatimi real i pagës minimale është shpesh problematik.
Për ekspertin, Mateo Spaho nevojitet një orientim i ri në tregun e punës me qëllim rritjen e pagës minimale.
“Që ti të rritësh rrogat në mënyrë të qenësishme dhe domethënëse është që të ndryshosh segmentin e tregut dhe të merresh më shumë më sektorë të tjerë. Ose brenda sektorit të bësh një hap cilësor, të kalosh nga fasani në shtëpi mode. Pra të jesh jo vetëm një hallkë, por edhe projektuesi fillestar”, nënvizoi zoti Spaho.
Eksperti Spaho shprehet se nuk është paga minimale e cila mbron të drejtat e punëtorëve.
“Por është një kusht ku qeveritë, sipas rastit, kërkojnë një taks në raport me bizneset, që janë taksat mbi pronën, për pensionin apo dhe mbi të ardhurat”, shtoi Spaho.
Vendimet e përsëritura për rritjen e pagës minimale sjellin edhe një efekt pozitiv për arkën e shtetit.
“Por nuk është shteti që me vendim qeverie bën që të rritet rroga, është kualifikimi i tyre që bën që të vlerësohen më shumë në treg”, theksoi ai.
Premtimin për një pagë minimale në nivelin e 50 000 lekëve, Spaho nuk e sheh si një rritje të konsiderueshme në favor të punonjësve nëse kjo do të shtrihet në katër vitet e ardhshme.
“Premtimi i pagës minimale 50 mijë lekë të reja nuk është e parealizueshme. Në një rang 4-vjeçar do të ishte mese normale. 5 deri 7% është aty, kështu që do realizohej vetvetiu. Një rritje e pagës minimale me një normë më të lartë siç është ajo e inflacionit është detyrim”, tha Spaho.
Sipas konkluzioneve te Eurostat, Shqipëria duhet të përqendrohet në rritjen e produktivitetit dhe në luftën kundër informalitetit, nëse synon të afrohet me standardet e vendeve të BE-së.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/