E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sako certifikatë mirënjohje Guardia di Finanza-s: Kontribut në sigurinë publike për Durrësin

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako i dorëzoi sot në një ceremoni të veçantë, certifikatën e mirënjohjes për Guardia di Finanza-n, për kontributin e tyre në sigurinë publike të këtij qyteti.

Në këtë ceremoni ku ishin të pranishëm komandanti i përgjithshëm i Guardia di Finanza, gjeneral Andrea De Gennaro, komandanti i njësisë së kufirit detar, major Francesco Della Corte, prefekti Emiljan Jani, oficerë e efektivë të kësaj trupe, kryebashkiakja e Durrësit dorëzoi këtë certifikatë mirënjohjeje.

“Në emër të qytetarëve të Durrësit i dorëzova Nucleo di Frontiera Marittima dhe Guardia di Finanza certifikatën e mirënjohjes “Dëshmi e Meritës Publike dhe Qytetarisë Aktive” në shenjë respekti të thellë dhe mirënjohjeje për angazhimin e palodhur, ekselencën profesionale dhe kontributin thelbësor në sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit”, tha Sako.

Nga ana e tij gjenerali De Gennaro theksoi se dhënia e kësaj mirënjohjeje prestigjioze përfaqëson një dëshmi konkrete të përkushtimit të Guardia di Finanza si dhe një demonstrim të respektit dhe dashurisë reciproke, duke vulosur lidhjet e miqësisë dhe afërsisë midis kësaj force dhe popullsisë së Durrësit.

Ndërkaq, Sako shprehu falënderimin për drejtuesit dhe të gjithë efektivët e Guardia di Finanza, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të forcave tona të Policisë dhe në favor të qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë vendit tonë për 28 vite duke shërbyer me përkushtim e profesionalizëm dhe duke ndihmuar në mënyrë të paçmueshme.

“Përveç luftës ndaj aktivitetit kriminal kjo trupë ka dhënë një mbështetje të madhe në shumë projekte arsimore e sociale por edhe në situatat e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore që kanë goditur vendin tonë e sidomos Durrësin, ku ata, ashtu si të gjitha institucionet dhe populli italian, na u gjendën pranë në ditë të vështira. Popujt tanë e kanë dëshmuar ndër vite miqësinë, mbështetjen, solidaritetin, humanizmin dhe mirënjohjen ndaj njëri tjetrit”, u shpreh Sako. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›