E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Berisha për Elina Dunin

Elina Duni performoi mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, duke sjellë  tingujt e muzikës etno-jazz në harmoni me poezinë e gjuhës shqipe, nga albumi i saj i fundit “Matanë Malit”. 

Mes të pranishmëve në publikun e këtij koncerti, ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka shprehur publikisht kënaqësinë e tij lidhur me muzikën e Elinës, të cilën madje e ka quajtur ''mbretëreshë''.

Në faqen e tij zyrate në rrjetin social Facebook, Berisha ka shkruar:

"Të dashur miq, sonte ndoqa për rreth dy orë në TOB koncertin e kuartetit të njohur të Elina Dunit, këngëtare që e dëgjoj shpesh dhe gjithnjë me shumë kënaqësi. Elina është një talent i rrallë, këngëtare e madhe që shkrin aq harmonishëm, këngën me zërin e saj melodioz e të pafund, të hershmën me të sotmen dhe të ardhmen, folkun tonë me Jazzin. Ajo, në skenat më të njohura kudo në botë, flet me gjuhën tonë me të bukur, këngën shqiptare. Sonte Elina këndoi këngë nga të gjitha kohërat dhe të gjitha trevat shqiptare. Këngë nga albumi i fundit "Matanë Malit", dhuratë për Shqipërinë në 100 vjetorin e pavarësisë. Anëtarët e tjerë të kuartetit instrumentist virtuoz nuk janë shqiptarë. Ata janë zvicerian por në koncert me instrumentat e tyre flisnin në menyrë të përsosur shqipen e bukur të mbretëreshës së tyre Elina Duni, të cilën do ta quaja një Joan Baez e shqiptarëve. Ju dhe mund të më pyesni ku ishte Bob Dylan. Unë miqësisht ju sugjeroj të degjoni këngën e saj, pasi ajo buron nga thellësite më të mëdha të shpirtit tonë e do ndjehemi krenare me të."

"Matanë Malit" është albumi më i ri i këngëtares Elina Duni, një homazh për Shqipërinë, frymëzuar nga historia e saj, diaspora e shpërndarë nëpër botë dhe poezia e gjuhës shqipe. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›