E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Salianji godet Bashën dhe njeh Berishën si kryetar të PD: Mbështes kandidatët e primareve

Një vit pas përleshjes së demokratëve në selinë e tyre, Ervin Salianji, i cili ndodhej brenda godinës me Lulzim Bashën, shprehet se ka reflektuar për gabimet dhe ka marrë pozicione të reja politike.

“Blindimi i PD ka qenë një prej turpeve më të mëdha që mund t’i ndodhë një partie politike. Dyert duhet të ishin hapur. Edhe mbledhja brenda, ku ne u thirrëm, ishte një mbledhje pa sens. Legjitimitetin nuk ta jep godina, por vota. Edhe sulmi apo mënyra sesi agravoi nuk është një prej momenteve që PD-në e nderon”, u shpreh Salianji në emsionin “Pa Censurë” në RTSH.

Kthesën për të ndryshuar qëndrimin politik dhe për të mos mbështetur më Lulzim Bashën, Salianji e mori pas zgjedhjeve të pjesshme vendore të vitit të kaluar.

 “6 marsi tregoi se shumica e demokratëve mendonin që ne ishim në një rrugë te gabuar”,  u shpreh Ervin Salianji, i cili nuk kursen kritikat për performamcën e Lulzim Bashës në parlament pas largimit nga drejtimi i partisë.

“Ka deputetë që nuk vijnë fare në parlament. Psh, njerëzit presin që Basha të bëjë një betejë të ashpër opozitare, siç kanë bërë të tjerët për të. Nuk është votuar askush për të qëndruar në hije apo për të mos ardhur në parlament. Parlamenti nuk është një pension i mirë. Është një vend, ku duhet bërë betejë politike e fortë. Basha arriti me sukses të dështonte në çdo betejë. Tani, të paktën, t’u kthejë demokratëve një pjesë të asaj që ka marrë”- u shpreh Ervin Salianji në emisionin “Pa Censurë”.

1 vit pas përleshjeve fizike të 8 Janarit, Ervin Salianji njeh autoritetin e Sali Berishës në krye të demokratëve.

“Lideri i opozitës duket tani kush është, pasi demokratët ndjekin më shumë Sali Berishën dhe lideri i opozitës pa diskutim sot është Sali Berisha. 6 marsi përcaktoi një vendimmarrje të caktuar. Protestat dhe lëvizjet e mëpasshme treguan që ai që po sillet si kryetar dhe po ushtron funksionet e Kryetarit të PD dhe të opozitës, është Berisha”, pohoi Salianji, i cili tregoi edhe se kë do të mbështesë në zgjedhjet lokale.

 “Do të mbështes kandidatët që dalin nga një proces. Megjithëse procesi i primarëve nuk ishte më i miri, ishte një proces dhe si i tillë duhen mbështetur ata kandidatë dhe nga PD që mendon ndryshe deri më sot”, i tha Salianji gazetares Elona Meço.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›