Salianji nga Elbasani: Dy rrugët për të rrëzuar Ramën, duhet ndryshim në PD

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gjatë një takimi me strukturat e PD-së në qarkun e Elbasanit, u shpreh se koha e pritjes ka mbaruar dhe se opozita duhet të zgjedhë rrugën e përballjes për të rrëzuar qeverinë.
Sipas Salianjit, përballë Edi Ramës ekzistojnë vetëm dy opsione reale. I pari është bllokimi total i sistemit përmes protestave, dhe i dyti është një pjesëmarrje masive në votime që do të zhvlerësonte çdo tentativë për manipulim.
“E them qartë, Rama dhe qeveria e tij rrëzohen vetëm me dy rrugë: me protesta masive dhe revoltë që të paralizojnë jetën politike të këtij vendi, ose tek kutitë e votimit. Por kjo e fundit kërkon bindjen dhe frymëzimin e aq shumë njerëzve, sa ta tejkalojmë manipulimin që Rama ka ngritur në sistem nga zgjedhjet në zgjedhje,” deklaroi ai.
Përveç aksionit të jashtëm, Salianji dha mesazhe edhe për mënyrën se si funksionon vetë Partia Demokratike. Ai kërkoi një ndryshim thelbësor të strategjisë, duke kritikuar mungesën e parimeve në promovimin e figurave dhe duke kërkuar rikthimin te baza dhe meritokracia.
“Ne duhet të shkojmë përtej vetes, të jemi të vërtetë dhe të qartë. Kjo nuk ndodh duke qëndruar e duke qarë. Kjo ndodh vetëm përmes një ndryshimi thelbësor në strategjinë e përfaqësimit, në respektimin e parimeve dhe normave,” theksoi Salianji.
Ai shtoi se brenda partisë ka shumë potencial të pashfrytëzuar.
“Këtu ka dhjetëra përfaqësues që nuk kanë pasur mundësi të promovohen, sepse shpesh nuk ka parime në disa promovime. E vetmja mënyrë është të dëgjojmë demokratët, qoftë edhe një të vetëm, dhe të mos shqetësohemi nga zëri i atyre që kërkojnë fitore.”, tha ai.
/rtsh.al/