Salianji vetëdorëzohet në polici: Pengmarrje banditeske, sakrifikohem për të vërtetën

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u vetëdorëzua këtë të premte në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Në një prononcim për mediet, pasi doli nga selia e Partisë Demokratike, Salianji deklaroi se grupi parlamentar i PD-së ka vendosur të ngujohet për shkak se është vendim politik, dhe se PD nuk e njeh këtë vendim.
Por, theksoi ai, “duke qenë se jam shprehur se do të përballem kudo që ata kërkojnë, do të përballem edhe në këtë pengmarrje banditeske”.
Ai shprehu besimin se aksioni që do të ndërmarrë PD në ditët në vijim do të frymëzojë qytetarët. “Shpresoj të jetë një betejë që të frymëzojë qytetarët. Ne vendosim sakrificën, qoftë duke sakrifikuar lirinë për të vërtetën, sepse e vërteta nuk ka çmim”, tha ai.
Nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku mbështetës të PD-së e pritën, Salianji e cilësoi vetëdorëzimin si sakrificë, por theksoi se asnjë sakrificë nuk shkon dëm.
“Sakrificë pa diskutim. Asnjë sakrificë nuk shkon dëm. Në përballje me regjimin secili merr kostot e veta. Secili demorkat këtu sot, ka vuajtur represionin e qeverisë. E vuajnë goditjen që ju bën përmes përdorimit të institucioneve, e vjedhjes, përmes varfërisë që ka mbjellë kudo”, tha ai.
Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që dënoi me një vit burg Ervin Salianjin për “Kallëzim të rremë”, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar zyrtarisht shkresë Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon ndërprerjen e mandatit të deputetit të PD, Ervin Salianji.
Po sot, në Policinë e Shtetit mbërriti shkresa për arrestimin e deputetit.
Grupi parlamentar i PD-së, në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, propozoi ngujimin e Salianjit dhe deputetëve të tjerë në seli, duke i kërkuar deputetit demokrat të mos e zbatojë kërkesën për arrest, teksa vendimin e Apelit e cilësojnë si politik.
Por deputeti Salianji vendosi të vetëdorëzohej në Polici. Ledio Braho, avokati i Ervin Salianjit tha për mediat, pas vetëdorëzimit të Salianjit, se ky i fundit do të dërgohet në burgun e Fierit.
“Na u komunikua procesverbali për njohjen për ekzekutim vullnetar, nënshkruam procesverbalet patëm sjellje korrekte nga drejtuesit e policisë. Duhet të jemi të qartë, pavarësisht se është një vendimmarrje politike, Salianji e ekzekutoi vullnetarisht dhe u nis drejt burgut që i ka caktuar regjimi, burgu i Fierit. Që mbrëmjen e sotme shkon në burgun e Fierit”, tha Braho.
Ervin Salianji vetedorezohet ne Policine e Tiranes, Foto: Agim Dobi 1 nga 4/a.f/r.e/