E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi-Curri, legjionarët e dashuruar me golin

Me dy gola, për skuadrat respektive, Hamdi Salihi i ka dhënë fitoren Rapidit të Vjenës, 2-1 ndaj ish-skuadrës së tij, Riedit, ndërsa mbrojtësi kosovar kuqezi, Debatik Curri, ka realizuar në fitoren e të tijve, Vorskla Poltava, 2-0 ndaj Zakarpatia.

Më saktësisht, Curri e ka kaluar skuadrën e tij në epërsi, shumë shpejt, që në minutën e 4-të të ndeshjes, ndërkohë që shkodrani Hamdi Salihi ka prishur barazimin 1-1 të ndeshjes Rapid Vienna–Ried në minutën e 63-të, teksa ka sigluar rezultatin përfundimtar 2-1.

Të dy këta lojtarë, javët e fundit, kanë shënuar rregullisht për skuadrat e tyre. Nëse për Salihin, shënimi i golit me Rapidin e Vjenës është bërë diçka e zakonshme, përcaktues po bëhet edhe Debatik Curri për Vorskla Poltavën.
 
Të dy lojtarët janë aktivizuar me kohë të plotë në skuadrat e tyre, cka tregon se janë vërtet shtylla në formacionet respektive. Zëvendësimi formal i Salihit, në minutën e 90-të, me Gartler, është bërë vetëm për të vonuar lojën e për ta mbyllur ndeshjen në fitore.

Pas kësaj ndeshjeje, Hamdi Salihi ka rregjistruar golin e 12 të tij personal, në 18 ndeshje të luajtura deri më tani me Rapidin e Vjenës, ndërkohë që ka dhënë edhe dy asiste, të kthyera në gol nga shokët e skuadrës.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›