E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla: Forcim i bashkëpunimit ndërkombëtar në menaxhimin e peshkimit

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi sot në Kuvend se marrëveshja për zbatimin e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit për menaxhimin e burimeve peshkore ndërkufitare dhe shumë-migruese është një instrument i rëndësishëm ndërkombëtar për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve detare.

Salla theksoi se në kushtet e rritjes së presionit mbi ekosistemet detare, mbipeshkimit dhe degradimit të habitateve, marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe menaxhimin e peshkimit mbi bazë shkencore dhe me qasje parandaluese.

Sipas tij, dokumenti, i miratuar në vitin 1995 dhe në fuqi që prej vitit 2001, forcon kuadrin ekzistues ndërkombëtar për administrimin e stokut të peshkut që lëviz përtej kufijve kombëtarë dhe mbështetet në bashkëpunimin mes shteteve dhe organizatave rajonale të peshkimit.

Marrëveshja, tha ministri, ka rëndësi të shumëfishtë, pasi forcon respektimin e së drejtës ndërkombëtare, konsolidon menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve peshkore dhe rrit koherencën me angazhimet ndërkombëtare në këtë fushë.

“Për Shqipërinë, rëndësia e kësaj marrëveshjeje është e shumëfishtë. Së pari, forcon profilin e vendit tonë si një shtet që respekton dhe zbaton me seriozitet të drejtën ndërkombëtare. Së dyti, konsolidon bazën për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve peshkore, që është jetik për mbrojtjen e pasurisë detare dhe për të ardhmen e sektorit të peshkimit. Së treti, kjo marrëveshje rrit koherencën ndërmjet kuadrit tonë kombëtar dhe angazhimeve që Shqipëria ka marrë tashmë si palë kontraktuese në Organizatat Rajonale për Menaxhimin e Peshkimit”, deklaroi Salla.

Ministri nënvizoi se akti nuk sjell detyrime të reja financiare apo barrë shtesë administrative, por formalizon angazhimet ekzistuese të vendit dhe kontribuon në procesin e integrimit evropian përmes përafrimit me standardet e BE-së në sektorin e peshkimit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›