E Hënë, 2 Nëntor 2026

Salla: Investim për pastrimin e lumit Devoll dhe sistemimin e argjinaturave në Maliq


TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Në fushën pjellore të Maliqit po investohet për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe parandalimin e përmbytjeve.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se kjo ndërhyrje përfshin pastrimin e rreth 153 mijë m³ mbetjeve dhe sistemimin e faqeve anësore të skarpateve nga të dyja anët e lumit Devoll, në një gjatësi prej 4 kilometrash.

“Ky investim garanton kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet për 4 930 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në pjesën e fushës së Maliqit me tokë të lagësht dhe pjellore, një aset me rëndësi strategjike për prodhimin bujqësor vendas”, u shpreh ministri Salla.

Projekti, theksoi Salla, është pjesë e vizionit “Bujqësia 2030”, që synon zhvillimin e një bujqësie më të qëndrueshme dhe më të mbrojtur ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

“Jemi të vendosur të vijojmë me këtë qasje proaktive për të mbrojtur tokën bujqësore, për të rritur produktivitetin dhe për të siguruar që komunitetet bujqësore të jenë të mbrojtura dhe të përgatitura për sfidat klimatike”, nënvizoi ministri.

Ky investim është një hap konkret drejt forcimit të infrastrukturës ujitëse dhe kulluese, duke ndihmuar drejtpërdrejt mijëra fermerë në një nga zonat më të rëndësishme të bujqësisë shqiptare. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›