“Durana Tech Park”, pjesë e Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Durana Tech Park në bashkëpunim me Albanian Investment Corporation do të marrë pjesë me “InnoVision Forum 2025” në punimet e Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që mbahet nesër në Tiranë.
Ky forum synon të ndërtojë urat e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Në një kohë kur digjitalizimi dhe ekonomia e bazuar në dije po bëhen shtylla të zhvillimit, “InnoVision Forum” vjen për të forcuar rolin e Shqipërisë dhe të rajonit si qendra e re e potencialit teknologjik në Ballkan dhe ne Evropën Juglindore.
“Ky forum nuk është thjesht një tryezë diskutimi, por një hap drejt një ekosistemi të qëndrueshëm inovacioni që do të ndikojë drejtpërdrejt në politikat e rajonit,” thekson Dr. Florensa Haxhi, drejtore Ekzekutive e Durana Tech Park.
Përmes dy paneleve kryesore, “Tech Parks as Drivers of Groëth and Innovation” dhe “EU Integration, Skills, and the Labour Market”, InnoVision Forum do të mbledhë drejtues politikë, menaxherë parqesh teknologjike, akademikë dhe profesionistë nga Spanja, Gjermania, Lituania, Greqia, Kosova, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, për të ndarë eksperienca dhe për të propozuar politika që do të fuqizojnë bashkëpunimin rajonal në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Forumi do të përmbyllet me rekomandime që do të prezantohen zyrtarisht gjatë Forumit të Investimeve EU–WB6 më 13–14 tetor në Tiranë, ku pritet pjesëmarrja e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në një dekadë ku inovacioni përcakton ritmin e zhvillimit, InnoVision Forum 2025 konfirmon ambicien e Shqipërisë për t’u shndërruar në një qendër rajonale të teknologjisë dhe inovacionit duke e bërë Parkun Shkenco e Teknologjik Durana, dhe më gjerë Tiranën, një simbol të bashkëpunimit të ardhshëm evropian.
/e.i/j.p/