E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla: Të rinjtë të zgjedhin arsimin profesional dhe bujqësinë

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi Shkollën Profesionale Bujqësore në Golem, nga ku u bëri thirrje të rinjve që të zgjedhin arsimin profesional dhe të aplikojnë për t’u bërë pjesë e shkollave profesionale në të gjithë vendin.

Gjatë vizitës, Salla u takua me Harunin, agronom i diplomuar në këtë shkollë në vitin 1984, i cili prej shumë vitesh vijon të kontribuojë në të, duke dëshmuar traditën dhe rolin që shkolla ka pasur ndër vite në formimin e profesionistëve të sektorit bujqësor.

“Jam në Shkollën Profesionale Bujqësore të Golemit bashkë me Harunin, një agronom i cili ka mbaruar shkollën në vitin 1984 dhe sot vijon të kontribuojë këtu. Dua t’i ftoj të gjithë nxënësit që duan të regjistrohen në shkollat profesionale, të bëhen pjesë e Shkollës Profesionale Bujqësore të Golemit, por edhe të shkollave profesionale në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Salla.

Duke iu referuar procesit të regjistrimeve, Salla rikujtoi se 30 shtatori është afati i fundit për aplikimin dhe regjistrimin në shkollat profesionale, duke ftuar të rinjtë të shfrytëzojnë mundësinë për të fituar një profesion dhe për t’u përgatitur për tregun e punës.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›