Samanta nuk ka të ndalur!
Ndryshe nga koleget e saj, këngëtarja bukuroshe Samanta Karavello ka publikuar këngën e saj “Larg” në fund të sezonit të kësaj vere. A thua se e kishte bërë në plan, që ashtu si me humor themi, ëmbëlsirë është për në fund… Në të vërtetë është pak të thuash ka goditur në shenjë. Kënga “Larg” është padyshim një këngë inovatore jo vetëm në repertorin e Samantës, por edhe në tregun muzikor shqiptar. Me një melodi që të bën për vete që herën e parë që e dëgjon, të realizuar nga Kledi Bahiti dhe me një performancë skenike të kuruar nga stilisti Joni Peçi, Samanta ka sjellë një superhit që do të vazhdojë të jetojë gjatë në shijet e publikut. Lidhur me këtë klip të ri dhe me një tjetër singëll, që do të jetë edhe i pari në anglisht i artistes, kemi realizuar këtë intervistë të këndshme me yllin e muzikës, Samanta Karavello.
Samanta, së pari urime për këngën “Larg”. Jeni shfaqur me ritme të reja, e madje krahasuar me ritmet e të mirënjohurit Armin Van Buuren. Ju përkëdhelin këto komplimente?
Ju falënderoj! Ishte një dëshirë e kompozitorit dhe e imja sigurisht, që të realizonim një këngë ndryshe nga ato që jemi mësuar të dëgjojmë zakonisht gjatë sezonit veror. Muzika dhe melodia e këngës më bënë për vete që në hapat e para të këngës që në demo (siç i themi në gjuhën muzikore, qesh)... Muzika na inspiroji për të realizuar një tekst që na çonte larg. Për mua është kënaqësi që kam realizuar një këngë ndryshe, që nuk është realizuar më parë në Shqipëri nga asnjë këngëtar si dhe një këngë profesionale të ngjashme deri diku me ritmet e Armin Van Buuren...
Mund të na tregoni rreth bashkëpunëtorëve tuaj në këtë këngë?
Kënga u realizua nga Kledi Bahiti (bashkëpunëtor i kompozitorit Flor Mumajesi) si dhe kompozitori i shumë hiteve të këngëtarit të mirënjohur Vedat Ademi. Është bashkëpunimi i dytë që realizoj me të. I pari ishte ai i baladës që interpretova pak vite më parë në Këngën Magjike, "Pa përse". E vlerësoj shumë punën dhe talentin e tij, ndaj dhe bashkëpunimi ynë do të funksionojë edhe në vazhdimësi.
Edhe në look këtë herë vini mjaft ndryshe. Kush është përkujdesur për ju dhe sa keni ndërhyrë me idetë tuaja në këtë pjesë?
Në këtë klip look-un ia besova stilistit Joni Peçi. Çdo gjë u përshtat me stilin e këngës dhe sigurisht me vendin ku xhiroja. Nuk ka pasur ndërhyrje nga ana ime.
Thuhet se klipi është për të xhiruar në Dubrovnik …
Klipi është xhiruar në Porto Palermo, jo në Dubrovnik. Në Dubrovnik kam kaluar thjesht një fundjavë të këndshme relaksi. Çdo klip dhe çdo këngë ka shumë shpenzime, pa harruar dhe look-un që është po aq i kushtueshëm dhe po aq i rëndësishëm.
Kënga ka dalë në fund, le të themi, të sezonit veror, ndërkohë që mjaft këngëtare kanë zgjedhur qershorin e korrikun për të publikuar këngët e verës. Ka qenë e qëllimshme kjo kohë apo e vonuar sipas jush publikimi i këngës “Larg”?
Fakti që kënga " Larg " doli në fund të këtij sezoni ishte për arsye të impenjimeve të shumta që unë pata këtë vit. Duke filluar me përfundimin e shkollës, aktivitetet në gjithë vijën bregdetare si dhe realizimit të një kënge që nuk është publikuar akoma. Është një këngë që do të vijë e gjitha në anglisht. Titullohet "All I need"... Shumë shpejt do të nis dhe xhirimet e videos. Pritet të jetë në treg në fillim të muajit tetor.
Ju vetë sa e kënaqur jeni nga kjo këngë dhe mendoni se është një nga punët tuaja më të mira?
Jam shumë e kënaqur. Është nga ato këngë që nuk lodhesh së e dëgjuari. Çdo këngë që kam realizuar gjatë këtyre viteve e kam vlerësuar, ndaj dhe e kam sjell për publikun.
Përsa i përket verës, a ka qenë impenjative në koncerte për ju?
Sezonin e verës nuk e kam konsideruar asnjëherë sezon pushimesh, por sezon pune (qesh)... Është një periudhe shumë impenjative dhe sigurisht e lodhshme, por ka dhe shumë fitime. Unë kam qenë e ftuar kryesisht në bregdetin shqiptar, ku kam kaluar mbrëmje të mrekullueshme dhe jam pritur me shumë dashamirësi nga publiku.
Pushimet i keni realizuar gjatë xhirimeve të kripit, apo ende nuk keni bërë pushime të mirëfillta?
Nuk kam nisur ende pushime të mirëfillta. Pushimet e mia nisin në shtator. Nuk e kam menduar ende destinacionin, por di të them që do të jenë jashtë Shqipërisë.
Samanta, si do ta vlerësoje këtë periudhë të jetës tënde?
Duke e lidhur gjithmonë me karrierën time, do të thoja që tani e ndiej se jam futur thellë në rrugën e artit. Akoma nuk e kam dhënë më të mirën time. Kam shumë akoma për të dhënë dhe për të sjellë. Synimet e mia janë shumë të larta, pse jo, edhe jashtë Shqipërisë!