E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera Grabocka largohet nga “Dancing With the Stars”

Regjisorja rivjen në Klan si regjisore e X-Factor

Ato tashmë janë një dyshe e pandarë, regjisorja Vera Grabocka dhe prezantuesja (këtë herë edhe producente) Alketa Vejsiu. Një dyshe që përkthehet në sukses. Një dyshe që i ka falur ekranit të vogël evente dhe spektakle të lloj-llojshme. Ashtu sikurse ju bëmë të ditur një javë më parë, këtu në faqet “VIP” të gazetës “Mapo”, Alketa Vejsiu u largua nga televizioni Vizion Plus për të realizuar të parin produksion të saj X-Factor, një patentë që thuhet se i ka kushtuar 80 mijë euro. Program i famshëm në mjaft vende të botës përveç prezantueses do të ketë edhe një juri VIP dhe siç kemi mësuar do të startojë në fund të muajit dhjetor. Tashmë janë mbyllur gjithë bisedimet me drejtuesit e televizionit Klan dhe projekti gjigant po merr formë, ndërsa pritet që së shpejti të nisin dhe aplikimet për konkurrentët. E pjesë e këtij kompeticioni do të jetë regjisorja Vera Grabocka. Nuk ka pasur dyshime në fakt për këtë gjë, por përfshirja e saj në spektaklin “Dancing with the stars-Albania” na bënte të hezitonim fillimisht për të artikuluar një mendim të tillë. Por ja që ajo që paramendohej ka ndodhur. Grabocka është larguar nga konkursi i balerinëve VIP duke u ndarë kështu nga producentja Holta Dulaku. Por nëse pritej të kishte një qejfmbetje në këtë rast nga ana e producentes, kemi marrë vesh se ajo nuk është shqetësuar aspak. Madje, sipas zërave thuhet se tashmë që DWTHS ka marrë formë producentja Dulaku nuk e ka aspak të vështirë për të gjetur një regjisor për 3 muaj, sa është edhe koha e këtij program. Megjithatë, vështirë të thuhet se nuk do të ndihet mungesa e Grabockës. Ashtu siç u ndje edhe e Alketa Vejsiut, në edicionin e kaluar. Ku prezantuesja Ami Toska me gjithë përpjekjet e saj nuk arriti të kishte shkëlqimin e duhur në këtë program. Gjithsesi, ajo që është vënë re në këtë nisje sezoni televiziv përveç programeve të reja që po shtohen nëpër televizionet kryesore, bie në sy zhvendosja e mjaft figurave të ekranit nga Vizion Plus në televizionin Klan.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›