Samaras refuzon të takojë Gruevskin

Kryeministri grek Andonis Samaras ka refuzuar takimin me kryeministrin homolog nga Shkupi, Nikolla Gruevski. Ky i fundit disa muaj më parë i kishte dërguar një letër kreut të qeverisë greke për një takim të përbashkët, mirëpo asnjëherë nuk ishte publikuar përgjigja e kryeministrit grek.
Gazeta greke “Dimokratija” ka shkruar se Samaras ka refuzuar të takojë Gruevskin, dhe se këtë e ka bërë përmes një letre dërguar në fillim të shtatorit me porosinë “Vetëdijesohuni, në rast se dëshironi për të biseduar”.
Kjo gazetë e krahut të djathtë ka nxjerrë edhe një pjesë të letrës ku Samaras i ka shprehur vërejtjet e tij në adresë të Gruevskit, i cili vetëm një vit më parë kishte shfrytëzuar realizimin e takimeve me ish-kryeministrin grek Jorgos Papandreu, për të krijuar një imazh tjetër para opinionit ndërkombëtar.
Samaras në letrën refuzuese ka kritikuar qasjen politike të autoriteteve qeveritare të Shkupit ndaj kontestit të emrit dhe Greqisë si dhe ka hedhur poshtë akuzat se Greqia po bllokon procesin eurointegrues të Maqedonisë.