Samarxhiç: Me marrëveshjet, Serbia e njohu Kosovën

Ish-ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, ka thënë se marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit të arritura në Bruksel, paraqesin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Marrëveshja me përfaqësuesit e shtetit jolegal të Kosovës paraqet shkelje flagrante të Kushtetutës së Serbisë, rezolutës 1244, dhe si e tillë, paraqet shkelje flagrante të dokumenteve juridike në të cilat ka bazën sovraniteti i Serbisë”, citohet të ketë thënë për Radion Europa e Lirë, Samarxhiç.
Sipas tij, tashmë shtetit dhe popullit serb i ka mbetur që të jetojë me faktin se “një pjesë e territorit të saj i është ndarë, ndërkaq qeveria e ka pranuar këtë”. Në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë arritur tre marrëveshje: ajo për lirinë e lëvizjes, për regjistrin civil dhe marrëveshja për njohjen e diplomave. Burime të BE-së kanë thënë se këto marrëveshje do të përfshihen në të ashtuquajturat konkluzat e kryesuesit, pa pasur nevojë që të nënshkruhen nga palët.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, BE-ja i ka nisur në muajin mars dhe pritet që në muajt e ardhshëm mund të arrihen edhe më tepër marrëveshje.