E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet, Tahiri: Serbia e njohu Kosovën

Ende pa u saktësuar mirë lajmi se për çfarë ranë dakord Prishtina dhe Beogradi pas bisedimeve të gjata në Bruksel, palët patën menjëherë interpretime politike të tyre. Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, në intervistë për RTK-në, e quajti këtë si një hap të parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa shefi i delegacionit serb, Stefanoviç, tha se “është mbrojtur sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën dhe Metohinë”. Ndërkohë, ndërmjetësi i BE-së, Cooper, ka theksuar se “këto marrëveshje s’kanë të bëjnë fare me statusin dhe qëndrimet e palëve rreth statusit”. Sipas komunikatës për shtyp, të lëshuar nga Këshilli i BE-së, në këtë takim janë arritur tri marrëveshje: regjistri civil, liria e lëvizjes dhe pranimi i diplomave universitare dhe shkollore. Kështu, Edita Tahiri, shefe e delegacionit të Kosovës në këtë dialog, tha se këto marrëveshje janë “fillim i njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ndërsa shefi i delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanoviç, ka pohuar të kundërtën, duke thënë se këto marrëveshje në asnjë mënyrë nuk rrezikojnë, “sovranitetin e Serbisë”. Edhe diplomatë nga BE-ja i hodhën poshtë pohimet e Tahirit, duke thënë se “dialogu është neutral ndaj statusit dhe në asnjë mënyrë nuk është kërkuar nga Serbia që të heqë dorë në këtë dialog nga qëndrimet e saj kundër pavarësisë së Kosovës”. Robert Cooper, në cilësinë e kryesuesit të dialogut, specifikoi se Serbia nuk po e njeh Kosovën, dhe se Kosova nuk po heq dorë nga statusi i saj. Ajo që po ndodh është ajo që thuhet në Rezolutën e OKB-së, ndihmon palët që t`i afrohen më shumë Bashkimit Evropian dhe ndihmon në përmirësimin e jetës së njerëzve”, ka thënë Cooper.
“Marrëveshjet do të hyjnë në fuqi sapo të jenë të zbatueshme nga aspekti operativ, ndërsa implementimi dhe gjërat që pasojnë do të sigurohen nga një grup punues trepalësh”, thuhet në deklaratën për shtyp të Këshillit të BE-së. Takimi i radhës thuhet se do të zhvillohet para fundit të këtij muaj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›