Samiti IV i Diasporës, Hoxha: Dialog i hapur për strategjinë e re dhe bashkëpunimin me diasporën

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Në kuadër të Samitit IV të Diasporës, u zhvillua paneli me temë “Rruga përpara – Nga komunikimi te bashkëveprimi”, ku u diskutua mbi strategjinë e re për diasporën dhe forcimin e marrëdhënieve institucionale me shqiptarët jashtë vendit.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një postim në rrjetin social X, vlerësoi diskutimet e zhvilluara gjatë dy ditëve të samitit, duke theksuar se pritshmëritë për mungesë përmbajtjeje në debatin mbi strategjinë e re për diasporën rezultuan të pabazuara.
“Patëm një shkëmbim të hapur, të sinqertë dhe energjik mendimesh mbi rrugën drejt së ardhmes, përmes një ndërveprimi konkret e të vazhdueshëm, përmes programeve dhe mekanizmave të qëndrueshëm, ashtu siç duhet të jetë dhe të evoluojë marrëdhënia jonë për Shqipërinë 2030”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, gjatë panelit u trajtua nevoja për një ndërveprim më të qëndrueshëm mes institucioneve dhe diasporës, përmes programeve dhe mekanizmave afatgjatë, në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”.
Hoxha e cilësoi këtë qasje si një model të duhur komunikimi, ku sipas tij duhet të mbizotërojë dialogu me më pak fjalë dhe më shumë ide, propozime konkrete dhe rekomandime që sjellin rezultate të prekshme.
Ai shtoi se punimet e samitit u mbyllën pas dy ditësh intensive diskutimesh, të cilat, sipas tij, sollën kontribute të vlefshme dhe një atmosferë të angazhuar bashkëpunimi me diasporën shqiptare.
“Ishte ndoshta mënyra më e mirë për të mbyllur dy ditë intensive pune dhe diskutimesh me vlerë dhe një kuvend sa mbresëlënës aq edhe angazhues”, theksoi kryediplomati shqiptar. /j.p/