Rama përfundon vizitën në Itali, takime me Melonin dhe ministrin Crosetto

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Itali, ku u prit në një ceremoni zyrtare nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në Pallatin Chigi, me të cilën zhvilloi më pas një takim kokë më kokë.
Fokusi i takimit ishte ecuria e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimi i marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.
Në vijim të vizitës në Itali, Rama u prit edhe nga ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto.
Pas takimeve, Rama ndau një fotoalbum nga vizita e sotme në Romë.
Pas Romës, Rama do të udhëtojë drejt Barcelonës në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Kryeministri Rama do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.
Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Sanchez, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
/gj.m/j.p/