Samiti/ Skënder Hita: Rritet siguria në pikat kufitare, kemi goditur rrjetet e trafikut të emigrantëve

Kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në fjalën e mbajtur në panelin “Për menaxhimin e migracionit dhe angazhimin e diasporës”, në ditën e tretë të Samitit të IV të Diasporës, bëri me dije se institucioni që ai drejton në bashkëpunim me policinë kufitare janë angazhuar maksimalisht në menaxhimin e flukseve migratore.
Në këtë kontekst, ai u ndal te goditja e veprimtarisë së trafikut të paligjshëm të emigrantëve, ku theksoi se janë çmontuar shumë rrjete kontrabandimi që vijnë kryesisht nga Greqia në vendin tonë me destinacion vendet e BE-së.
“Policia e Shtetit dhe policia kufitare janë angazhuar maksimalisht për menaxhimin e flukseve migratore, kryesisht nga shteti grek në drejtim të vendit tonë me destinacion vendet e BE-së. Janë goditur rrjetet e kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm, organizatorëve dhe transportuesve të huaj dhe të huaj si pjesë e rrjeteve kriminale”, deklaroi Hita.
Ai shtoi se Policia e Shtetit ka intensifikuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për parandalimin e trafikut të paligjshëm, përfshi këtu dhe kalimet e paligjshme të kufirit, apo dhënien e ndihmës kundrejt vlerave monetare.
“Kemi bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë për të parandaluar trafikimet e paligjshme, përfshi këtu dhe kalimet e paligjshme të kufirit dhe dhënien e ndihmës kundrejt përfitimit apo kalimin e paligjshëm kufitar”, tha Hita.
Ky i fundit u ndal dhe te turizmi, duke bërë me dije se janë përmirësuar kushtet në pikat e kalimit kufitar, duke i pajisur me teknologji bashkëkohore. Po ashtu, Hita tha se është rritur prezenca policore në zonat turistike, rrugë e sheshet kryesore, me qëllim rritjen e rendit dhe sigurisë jo vetëm për qytetarët, por edhe për vizitorët.
“Për këtë arsye, kemi përmirësuar kushtet në pikat e kalimit kufitar, i kemi pajisur me teknologji bashkëkohore, janë trajtuar punonjësit, etj.
Kemi forcuar policimin në komunitet për të qenë më pranë qytetarëve dhe kategorive në nevojë, siguria për ta është dhe përgjegjësi morale përpos detyrimit ligjor. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sezonit turistik”, përfundoi ai.
/rtsh.al/