Samiti i BE-së, sprovë e sërishme për Shkupin

Bashkimi Evropian pret që Shkupi të ndërmarrë hapa dhe të japë sinjale serioze se do të përmbushë detyrimet që ka para Samitit të BE, të caktuar për në fund të këtij muaji.
Reflektimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, përkushtimi serioz për zgjidhjen e kontestit të emrit, si dhe dialogu politik, duke përfshirë zgjidhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit në Parlamentin e Maqedonisë, janë kushtet e Brukselit, që i janë adresuar Shkupit zyrtar.
Edhe rreth 20 ditë para aamitit evropian, zëvendësministri për eurointegrime, Fatmir Besimi ka nisur një fushatë diplomatike në disa vende anëtare të BE-së për të siguruar datën për nisjen e negociatave me Unionin Evropian. “Si argumente gjatë lobimit janë detyrimet tona të plotësuara në kuadër të dialogut të nivelit të lartë me BE si dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet fqinjëve që tashmë janë të relaksuara dhe pozitive”, ka theksuar zv/kryeministri Besimi. Marrëdhëniet me Greqinë, por së fundi edhe me Bullgarinë janë shqetësuese dhe BE-ja ka kërkuar përmirësimin dhe zhvillimin e tyre./Indeksonline/