E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Samiti i Bratislavës, kryeministri Rama takon Presidentin francez, Emmanuel Macron

Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë në Samitin e Bratislavës, në Sllovaki, kushtuar Ballkanit me temë “Rrugët e Hapura: Ballkanasit sërish në biznes”, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron. Lajmi është bërë publik nga veetë kreu i qeverisë shqiptare, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook. Rama e ka vlerësuar këtë takim si “shumë miqësor”.

“Në këtë takim u u prekën me thellësi temat e rajonit tonë në sfondin e konfliktit në Ukrainë, marrëdhënia e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe nevoja për një qasje të re politiko-ekonomike, si edhe marrëdhëniet bilaterale Francë-Shqipëri.”- shkruan Rama.

Përpara këtij takimi, kreu i qeverisë shqiptare mbajti edhe një fjalim në Samitin e Bratislavës, ku bëri një analizë të asaj çfarë ndodhi në Evropë dhe BE, si përgjigje ndaj të krizës së madhe të pandemisë që goditi Evropën, por dhe Ballkanin.

Sipas tij, mes vitit 2020- 2021, BE dha 47.5 miliardë euro për shtetet anëtare, ndërkohë që Ballkanit Perëndimor iu dha 1 miliardë euro për të 6 vendet.

“Dhënia e granteve nga BE për vendet e europës juglindore ishte 11 herë më e madhe se ajo që u dha për Ballkanin Perëndimor. Nga fondet e IPA-s ne marrim 90% ndihmë teknike, 10% investime”– tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare kërkoi që BE-ja duhet të bëjë më shumë për rajonin e Ballkanit, si dhe të ndryshojë hendekun.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›