E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i Diasporës, Demo: Shqipëria po përjeton bum turistik, diaspora po investon në pasuri të paluajtshme

Në Samitin IV të Diasporës, që po zhvillohet në Tiranë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi rolin e rëndësishëm që diaspora mund të luajë në zhvillimin e territorit përmes investimeve të saj.

Ai u shpreh se marrëdhënia me diasporën nuk duhet të perceptohet thjesht si burim remitancash, por si një potencial i madh për të sjellë ndryshim dhe për të zbuluar mundësitë që ofron Shqipëria në çdo cep të saj.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, Demo nënvizoi se vendi po përjeton një bum turistik, i cili reflektohet edhe në rritjen e vizitorëve dhe në faktin që Shqipëria ka tashmë aeroportin më të madh në Ballkan.

“Aktualisht kemi një bum turistik. Këtë e tregon edhe fakti se kemi aeroportin më të madh në Ballkan, një tregues i vizitorëve që vijnë në vendin tonë. Dita-ditës po faktohet që shumë përfaqësues të diasporës po zgjedhin të investojnë në Shqipëri, madje edhe në fushën e pasurive të paluajtshme”, tha Demo.

Sipas tij, gjithnjë e më shumë përfaqësues të diasporës po zgjedhin të investojnë në Shqipëri, përfshirë edhe sektorin e pasurive të paluajtshme.

Ai solli në vëmendje nismën e qeverisë për Paketën e Maleve, e cila synon zhvillimin rural dhe rajonal, duke krijuar mundësi për zona që deri më sot kanë qenë të pazhvilluara.

Demo theksoi se ka një interes të jashtëzakonshëm nga shqiptarët që jetojnë jashtë për të investuar në vendlindjet e tyre, duke e parë këtë si një mënyrë për të fuqizuar bashkitë dhe për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm.

“Zhvillimi rajonal është shumë i rëndësishëm edhe për sa i përket fuqizimit në territor nëpërmjet bashkive. Tashmë Shqipëria ka kushtet e duhura për të ofruar garancitë e nevojshme për të zhvilluar sipërmarrjen,” u shpreh ministri Demo, duke e konsideruar diasporën si një aktor kyç në transformimin e territorit dhe në rritjen e potencialit ekonomik të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›