E Diel, 1 Nëntor 2026

Një grup vendesh europiane dhe Australia dënojnë sulmet izraelite në Liban

Një grup vendesh evropiane dhe Australia kanë dënuar “në termat më të ashpër” sulmet masive izraelite në Liban javën e kaluar, si dhe sulmet ndaj paqeruajtësve të OKB-së.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Australisë, Belgjikës, Kroacisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Greqisë, Islandës, Luksemburgut, Maltës, Norvegjisë, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar, si dhe administratës greke të Qipros, ripohuan se integriteti territorial i Libanit duhet të respektohet plotësisht.

Ata kërkuan që Libani të përfshihet në përpjekjet rajonale për de-eskalim dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që të punojnë për një zgjidhje politike të qëndrueshme.

Deklarata paralajmëroi se vazhdimi i luftës në Liban rrezikon de-eskalimin aktual rajonal, “të cilin e kemi mirëpritur dhe që duhet të respektohet plotësisht nga të gjitha palët”.

Ministrat e Jashtëm mirëpritën iniciativën e Presidentit libanez Joseph Aoun për të hapur bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin, si dhe pranimin e Tel Avivit për të filluar negociata të lehtësuara nga SHBA-të. Ata u bënë thirrje të dyja palëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Bisedimet e drejtpërdrejta mund të hapin rrugën për siguri të qëndrueshme për Libanin dhe Izraelin, si dhe për rajonin”, thuhet në deklaratë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që “të de-eskalojnë urgjentisht” dhe të shfrytëzojnë mundësinë e ofruar nga armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit.

Deklarata dënon sulmet e Hezbollahut kundër Izraelit, duke thënë se ato “duhet të ndalen menjëherë”.

“Ne dënojmë gjithashtu në termat më të ashpër sulmet masive izraelite në Liban të kryera më 8 prill, të cilat, sipas informacioneve të fundit të dhëna nga autoritetet libaneze, kanë rezultuar në vdekjen e më shumë se 350 personave dhe plagosjen e më shumë se 1000 të tjerëve.

Ne dënojmë gjithashtu në termat më të ashpër sulmet ndaj UNIFIL-it dhe ripohojmë se siguria dhe mbrojtja e paqeruajtësve të OKB-së duhet të sigurohet në çdo kohë.”

Duke shprehur solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e palëkundur për popullin dhe autoritetet libaneze, ministrat e Jashtëm ripohuan rëndësinë e respektimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Libanit, si dhe zbatimit të plotë të rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›