Samiti i Komunitetit Politik/ Rama pret liderët europianë, vlerësohen reformat integruese

Tirana mikpret Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Europian, i cili për herë të parë zhvillohet në një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. 47 kryetarë shtetesh e qeverish mbërritën në sheshin Skënderbej për të diskutuar rreth sfidave me të cilat përballet Evropa.
Komuniteti Politik u krijua për të ulur në një tryezë të gjithë liderët e Evropës e për të diskutuar të gjitha çështjet që prekin vendet tona, dhe çështja kryesore për Ballkanin Perëndimor e për Shqipërinë është integrimi në BE.
Në fillim të takimit, zëvendëspresidentja e Komisionit Europian Kaja Kallas komentoi ambicien e qeverisë shqiptare për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2030, duke vlerësuar ritmin e reformave në vendin tonë.
“Po, mendoj që Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer për reformat, dhe duhet që edhe nga ana jonë, nga ana e BE-së të hidhen hapat e nevojshëm. Sigurisht, ne duam reforma, sundimin e ligjit, ato që janë të nevojshme, por ka një moment politik dhe procesi i zgjerimit duhet të ndodhë”, u shpreh Kaja Kallas, zv/presidente e Komisionit Europian.
Samiti zhvillohet në të njëjtën ditë që në Turqi kanë nisur bisedimet trepalëshe mes SHBA, Rusisë e Ukrainës për luftën mes Moskës e Kievit.
“Mendoj se Putin bëri një gabim duke dërguar një delegacion të nivelit të ulët. Topi është qartësisht në fushën e tij, ai duhet të luajë, duhet të jetë serioz për të treguar se e do paqen. Mendoj se i gjithë presioni është tani mbi Putinin”, deklaroi Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
“Presidenti Zelenski ishte gati të takohej në Turqi, por presidenti Putin nuk shkoi. Dhe kjo tregon besimin e vërtetë të presidentit Putin, ai nuk e do paqen. Prandaj ne duhet të rrisim presionin dhe po punojmë për një paketë të re sanksionesh”, tha Ursula von der Leyen.
Hapja e Samitit të Komunitetit Politik Europian u bë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me një ceremoni të veçantë, pjesë e të cilës ishte një video e realizuar nëpërmjet inteligjencës artificiale ku liderët e Europës ishin kthyer në fëmijë dhe uronin mirëseardhjen në Shqipëri në gjuhët përkatëse.
Liderët synojnë që nga Tirana të përcjellin mesazhin se Europa qëndron në mbështetje të Ukrainës.
/vizionplus.tv