Samiti i NATO-s nxjerr opozitën nga llogorja e bojkotit, konsensus verbal për reformën në drejtësi
Opozita kuvendore ka vendosur që të braktisë llogoren e bojkotit
duke u shprehur dje formalisht pro dhe e gatshme që të miratojë paketën me 5 projektligje që lidhen direkt me reformën në sistemin
e drejtësisë. E kompleksuar dukshëm nga pozicioni refraktar, çka
edhe u vu mjaft qartë re në fjalën që mbajti dje në seancën plenare kryetari i Asamblesë Kombëtare Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili me
tone shpeshherë patetike akuzonte mazhorancën se e kishte paragjykuar
me të padrejtë pakicën për çështjen e bashkëpunimit për reformat e mëdha, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, pas
një takimi që pati zhvilluar me homologun e saj demokrat Astrit Patozi në një nga pushimet e seancës maratonë të ditës së djeshme, u shfaq në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e shumicës për projektligjet e paraqitura megjithatë propozoi që paketa të kalonte edhe njëherë për një diskutim të përbashket në komisionin e ligjeve, ku edhe opozita
të ketë mundësinë që të thotë fjalën e saj dhe më pas në një nga seancat e para plenare të sesionit të ri të kalohet për miratim në parlament. Tërheqja nga kursi antireformë deri tani është fryt i një konsensusi të arritur në sallën e parlamentit dhe nën pakënaqësinë evidente të kreut socialdemokrat Skënder Gjinushi, i tradicionalisht humbet tërësisht toruan në momentet e detantave politike ashtu si
5 vite të shkuara me rastin e zgjedhjes së presidentit të Republikës. Ndërkohë që nuk dihet se cili është qëndrimi origjinal i kryesocialistit Rama në këtë ndryshim të kursit politik.I profiluar në publik pas Gjinushit, si një ligjërues i tezave ekstremiste që përkufizohen rëndom në alternativën e politikës së re e që mbajnë gjallë shpirtin e pjesës më radikale të anëtarësisë dhe simpatizantëve socialistë për një rikthim një orë e më parë në pushtet, kreu i PS-së duket se beson se dalja në publik dhe kumtimi i konsensuseve të tilla do të ishte njëfarë tradhëtie ndaj kësaj pjese periodikisht të mllefosur të opinionit publik.
E ndërsa gjuha e parlamentarëve socialistë në parlament ka qenë më së shumti e drunjtë gjithësesi mbetet një sinjal pozitiv se në kapërcyell të vitit 2007 do të kemi një klimë politike e bashkë me të edhe sociale më të qetë, duke shpresuar se nuk do të kontaminohet nga deklarata të mëpasme që fillojnë me ripërsëritjen e kushteve të vjetra dhe nxjerrjen në skenë të parakushteve të reja. PS ka luajtur dje në opinionit publik me kartën e integrimit të shpejtë në NATO, si nxitësi kryesor që sipas Leskajt ka çuar në këtë ndryshim të beftë të pozicioneve. Atë kartë që jo rrallë nuk e ka marrë fare parasysh në dhjetëra aksione të obstruksionit parlamentar. Ky sfond i trishtë ngjarjesh që kanë patur peshën e tyre në dështimet apo vonesat e përmbushjes së detyrimeve përkatëse, imponon qëndrimin me këmbë në tokë për të parë sesa do të jetë këtë herë distanca mes retorikës politike dhe aksioneve konkrete.