Samiti në Shkup, Rama: Synon integrimin në tregun e BE, mundësi që nuk duhet humbur

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot (22 janar) në Shkup ku do të marrë pjesë në Samitit e Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Pak para mbledhjes së këtij samiti ku ndodhen liderët e Ballkanit Perëndimor, Rama tha në një konferencë për mediat se Shqipëria dhe rajoni duhet të përfitojë sa më shumë nga ky samit që do të lejojë integrimin e Ballkanit në tregun europian.
Nga Shkupi, Rama shtoi se vendet e rajonit duhet të fokusohen të punojnë së bashku drejt integrimit për të mirën e qytetarëve dhe të lënë pas ndasitë e tyre.
Mundësia për integrimin e rajonit në tregun e BE, për kryeministrin Rama është një mundësi që nuk duhet humbur dhe do përcaktojë të ardhmen e rajonit gjatë kësaj dekade, ky synimi kryesor është integrimi në BE.
“Më duhet të them se ky është vërtetë një takim shumë i rëndësishëm, sepse ne jemi këtu për të bashkuar mendimet tona me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe administratës amerikane për hapin e madh që ne mundemi dhe duhet të ndërmarrim, që është t’i afrohemi më shumë Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për planin e rritjes dhe integrimin në tregun ndërkombëtar.Kjo e fundit deri tani ka qenë e mundur vetëm për shtetet pjesë të Bashkimit Europian. Prandaj është një ndryshim i rëndësishëm dhe një mundësi e shkëlqyer, e cila nuk duhet humbur dhe prandaj është esenciale që ne t’ia dalim të punojmë së bashku, të gjashtë shtetet e Ballkanit, është esenciale që ne të vëmë qytetarët tanë të parët dhe të lëmë politikën dhe historinë për më pas, sepse çfarëdolloj gjëje që do të bëjmë dhe nëse do mundemi t’i bëjmë gjatë kësaj kohe për të përfunduar gjërat në muajt në vijim, do të përcaktojnë sesi do të jenë vendet tona në fund të kësaj dekade”, tha Rama.
Të pranishëm në këtë samit janë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Të pranishëm në samit janë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, Kryeministër i Malit të Zi Milojko Spajiç, Ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, Xhejms O’Brajen (James O’Brien), dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.
/rtsh.al/