Samiti për emigrantët, liderët e BE diskutojnë për modelin mes Shqipërisë dhe Italisë

Në Bruksel po zhvillohet samiti i BE i thirrur nga Italia, Holanda dhe Danimarka për emigracionin. Gjatë samitit kryeministrja Giorgia Meloni prezantoi marrëveshjen Itali-Shqipëri, pas mbërritjes së emigrantëve të parë në portin e Shëngjinit.
Në fokus të diskutimit ishte pikërisht koncepti i dërgimit të emigrantëve në një vend të tretë të sigurt në funksion të zbatimit të rregullave të Paktit të ri të Migracionit dhe Azilit, në bashkëpunimin edhe me UNHCR-në si pjesë e zgjidhjeve inovative.
Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen ilustroi linjat kryesore të punës të shprehura edhe në letrën që ajo i kishte dërguar vendeve të BE lidhur me çështjen e emigracionit.
“Një takim shumë pozitiv me objektiva të përbashkëta të qarta: parandalimi i emigracionit të parregullt, luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore dhe bërja e politikës evropiane të kthimit më efektive”, tha Meloni.
Ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orban ka vlerësuar marrëveshjen Shqipëri-Itali duke thënë se “marrëveshja mes Romës dhe Tiranës për emigrantët është e mirë, urime Italisë”.
Kryeministri holandez Dick Schoof tha se vendi i tij po shikon “me interes” protokollin Itali-Shqipëri dhe “shpresojmë të dëgjojmë nga Italia se si po shkon dhe të shohim se si mund të punojmë së bashku për këtë në BE”.
“Me qendrat e riatdhesimit në Shqipëri, Italia tregon si të mendosh jashtë kutisë dhe të krijojmë mundësi të reja. Ne duhet t’u tregojmë qytetarëve evropianë se jemi të aftë të veprojmë dhe se e marrim seriozisht problemin e emigrimit”, tha kancelari austriak Karl Nehammer.
Nga ana tjetër kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se qendrat “nuk janë në të vërtetë zgjidhja për një vend kaq të madh sa Gjermania. BE-ja ka nevojë për dëbime në përputhje me ligjin evropian”.
Përveç Italisë, Danimarkës dhe Holandës dhe Komisionit Evropian, në takim morën pjesë edhe liderët e Austrisë, Qipros, Greqisë, Maltës, Republikës Çeke, Polonisë, Sllovakisë dhe Hungarisë.
/rtsh.al/