E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanino: Reformat, në rrugën e duhur – të gatshëm për statusin

01-04-2012 / Gazeta 55

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino, në një intervistë mediatike, thekson pa doreza se në Shqipëri, reformat po ecin në rrugën e duhur e se tashmë po afroheshin kushtet, jo vetëm për akordimin e statusit të kandidatit, por edhe për çeljen e negociatave për anëtarësim të plotë në BE


Bashkimi Evropian po ndjek me interes tendencën konsensuale që po vihet re  mes forcave politike në Shqipëri, për çështje të vlerësuara si themelore për integrimin evropian. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian Stafano Sanino, shprehet se ka lëvizje në drejtimin e duhur nga politika, por duhen plotësuar kushtet për mbylljen e reformës elektorale dhe zgjedhjen e presidentit. “Ne tani po punojmë për çështje specifike, që duhen realizuar brenda disa muajve. Po i afrohemi afatit të mbylljes së reformës zgjedhore, për të cilën shpresojmë të përfundojë brenda muajit prill. Po kështu ndjekim me interes fillimin e procesit për zgjedhjen e presidentit, që është gjithashtu element i rëndësishëm. Disa gjëra po shkojnë në drejtimin e duhur dhe shpresojmë që kjo tendencë të konsolidohet, brenda një kohe të shkurtër. Nëse kjo arrihet, nëse ka përkushtim nga partitë për reformat, ne mund të fillojmë bisedimet për fazën tjetër të procesit”, u shpreh Sannino. Vijimi i dialogut politik dhe respektimi i 12 prioriteteve të përfshira në planin e veprimit që qeveria shqiptare i ka dorëzuar komunitetit ndërkombëtar, janë gjithashtu momente në të cilat përfaqësuesit e Brukselit, ia kërkojnë si domosdoshmëri Shqipërisë, për të avancuar në procesin e integrimit drejt strukturave europiane. Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu dorëzoi në mesjavë në Bruksel Planin e Veprimit. Bregu zhvilloi një vizitë dy ditore në institucionet e Bashkimit Evropian ku u takua me komisionerin për zgjerimin Stefan Fule, e me një sërë eurodeputetësh, të cilët i njohu me progresin e Shqipërisë në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe rekomandimeve të Brukselit. Ministrja tha se plani është vlerësuar edhe për plotësimin e një prej sugjerimeve të komisionerit Fule, gjithëpërfshirjen. Mbetet që klasa politike të përparojë kursin reformator dhe t’i adresojë plotësimin e detyrave Brukselit zyrtar. Në vjeshtë të këtij viti Parlamenti Evropian do miratojë rezolutën e njohur si “rezoluta e integrimit”, ndërsa njëkohësisht me këtë, Komisioni Evropian do dorëzojë progres-raportin për vitin 2012. Pritet që Komisioni t’i rekomandojë Këshillit të Ministrave të BE, dhënien e statusit kandidat Shqipërisë si dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit, në një datë të afërt. Por, realizimi i projekti të integrimit më parë kalon nga Kuvendit i Shqipërisë, aty ku 12 rekomandimet e Komisionit kërkojnë konsensusin politik dhe miratimin pa kushte dhe interesa politike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›