Ecje e vështirë me kushtëzime të ndërsjella
Gjykimi se, vetëm Bashkimi Europian i fuqishëm vë kushte, është arsyetim me gjysmë të vërteta. Nuk përbën paradoks, mendimi tjetër, se edhe Serbia e dobët, i përgjigjet Brukselit me kundërkushte. Rezoluta e Parlamentit Europian, miratuar të enjten, i kërkoi Beogradit të mos organizojë zgjedhje në veri të Kosovës dhe, me treçerek fraze pasuese cekeshin interesat e Serbisë që, “sa më shpejt që të jetë e mundur, t’i caktohet data e fillimit të negociatave për pranim”. Kjo është shenjë e pasurimit të politikës së kushtëzimeve të ndërsjella BE-Serbi. E gjitha ngjan si në lojën e shahut: lëvizjen e parë e bën Brukseli, Beogradi sillet këmbëngulës.
Në muajin shkurt, Bashkimi Europian nuk qëndroi spektator para shfaqjes politike - komedi, se si një grusht serbësh në veri, me fotografitë e Putin si dekor, thirrën referendumin për pavarësi, ndërsa Beogradi përsëriste me shtirje, “mos e bëni, mos e bëni”, gjasme ata veprojnë krye më veti e s’pyesin hiç për Serbinë. Këto ishin dokrra politike para marrjes së statusit të vendit kandidat. Ato nuk i ha as europiani më i painteresuar, të dijë se çfarë bëhet në këto anë të Ballkanit. Ndërsa për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, Beogradi thotë se, ato do të bëhen edhe në veri dhe, këtë herë serbët dëgjokan! Shfaqja po përsëritet me gufmim alla-jugosllav, siç ministri Vuk Jeremiç e tha shqeto, “Serbia meriton të marrë një pozicion të rëndësishëm ndërkombëtar”, për të përfituar duke përcaktuar kundërkushtin: çdo problem të sajuar në Kosovë, të shitet shtrenjtë për të zhvatur parakohe nga Europa. Ka të ngjarë që, pas korit të shumëfishtë perëndimor, të qeverive dhe të personaliteteve të shumta, për të mos organizuar zgjedhje në veri, Serbia mund të tërhiqet vetëm pasi të sigurojë garanci për hapin tjetër, të afrimit me BE. Ajo po krijon një rast të posaçëm, ndoshta që t’i marrë pikë Berlinit, i cili ka kërkuar prerë që, të shkatërrohen strukturat paralele. Beogradi nuk i shkatërroi ato, të përmbushte kësisoj thirrjen e kancelares Merkel, por duke mos organizuar zgjedhje në veri, strukturat paralele vetëshuhen pa zhurmë. Pavarësisht nga retorika e presidentit Boris Tadiç, me përsëritjet e famshme të tij, ku nuk harron kurrë fjalën kurrë, apo kërcënimit shterpë të zëvendëskryeministrit dhe ministër i brendshëm Ivica Daçiç, kur tha që, “paramendoni sa njerëz në Kosovë minojnë rendin kushtetues të Serbisë, sepse pjesëmarrja në institucionet e atjeshme, që Beogradi nuk i pranon, është shkelje e rendit tonë juridik”, gjithë elita politike serbe e di mirë që, pas trembëdhjetë vitesh çlirim, Kosova për Serbinë ka mbetur vetëm “një mirazh”, siç e përcaktoi Vuk Drashkoviç, lideri i Ripërtëritjes Serbe, duke i akuzuar properëndimorët e vendit të vet se, “nuk mund të ndërtohet një Serbi europiane mbi themelet eSerbisë së Millosheviçit”.
Marrëveshja për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në veprimtaritë rajonale, për t’u arritur pati Poshtëshënimin - Fusnotën - Footnote si kusht serb ndaj Perëndimit, ndërsa BE i dha statusin e vendit kandidat. Në atë zhgënjim të beftë që ra bota shqiptare, për përfaqësimin e Kosovës pa republikë, vërehet se Serbisë ai kusht i plotësuar iu lokalizua për politikë të brendshme parazgjedhore, sidomos kjo qartësohet kur vështrojmë kundërshtimin e Parlamentit Europian, i cili nuk pranoi që Kosova të përfaqësohet në dokumente me Poshtëshënim - Fusnotë - Footnote, si dhe thirrjen e tij të përsëritur, ndaj pesë shteteve, për ta njohur Republikën e Kosovës, sepse “Kjo do t’i bënte më efektive përpjekjet e BE”, dhe kërkesën e argumentuar ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (OIC), që të lejojë pjesëmarrjen e Kosovës së pavarur, në “Londër 2012”. Të dy palët, edhe BE edhe Serbia, bëjnë interpretime: BE theksoi që, se si do të përdoret Poshtëshënimi - Fusnota - Footnote, le të vendosin organizatorët e veprimtarive, por Beogradi mungoi në SHBA, në forumin për Europën Juglindore, vetëm sepse atje përfaqësohej Kosova dhe nuk u përdor Fusnota. Kurse në rajon, ende nuk është parë që Serbia t’i përmbahet marrëveshjes.
Një nga kundërkushtet më të forta serbe, ka qenë loja me dorëzimin e krimineleve të mëdhenj të luftës. Ata u dërguan në Hagë vetëm atëherë kur Beogradi kishte përcaktuar kohën se kur do të përfitonte nga Europa. Serbisë iu dha e drejta e udhëtimit pa viza shumë shpejt, sidomos me një rrethanë politike të papranueshme, të luftës së ftohtë midis dy minishtetesh, për faj të saj. Por, duke qenë se çështja e Kosovës është në duart e Perëndimit, dhe procesi i njohjeve zgjat, Serbia e dorëzoi dhe kriminelin e tretë të kërkuar - Ratko Mlladiç, dhe kushti i saj natyrisht ka qenë që asaj t’i hiqeshin vizat. Ky shtet i vogël, me maniera jugosllave, mëton të përfitojë nga begatia e BE-së, por të kushtëzojë me fuqinë e Rusisë. Këtë spektakël politik Beogradi e bën, ose nga trysni të brendshme kundërperëndimore, ose të gjithë bashkë, për një Moskë me atributet e mbrojtëses strategjike. Nuk patën kaluar as dy javë nga dhënia e statusit të vendit kandidat për në BE dhe, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç, nxitoi për në Moskë. Prej atje shqiptoi fjalë të zgjedhura e vlerësuese për Rusinë, shprehje që nuk u dëgjuan për Bashkimin Europian, kur iu dha statusi i vendit kandidat, me një bujari perëndimore të pashoqe.
Zgjedhjet nuk janë larg dhe Perëndimi po i thotë prerë Beogradit: jo zgjedhje në veri! Që zgjedhjet atje mund të mos bëhen, hetohet edhe nga timbri i deklaratave të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili shqipton një vendosmëri jo aq të zakontë, çka lë të kuptohet se, këtë here ka një bashkërendim të qartë me Perëndimin. Beogradi, në vendosmërinë e vet, shfaq një lloj pasigurie, siç duket përgatitet që, mosorganizimin e zgjedhjeve në veri, ta kushtëzojë me çeljen e bisedimeve sa më parë. Po nuk u zhvilluan zgjedhjet atje, bisedimet do të hapen dhe do të thuhet që, Serbia i përmbushi kushtet. Por, paradoks i raportit tresh Serbi-Kosovë-BE, është ecja e vështirë me kushtëzime të ndërsjella. Serbia arrin përftime me politikën e viktimës si kusht, çka nuk ndodh me asnjë shtet tjetër të rajonit, në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian.